Anëtarësia e Partisë Demokratike, por edhe simpatizantë të kësaj force politike votuan këtë të diel përmes procesit të primareve për të zgjedhur kandidatët e opozitës për kryetarë bashkie në lokalet e 14 majit. Qendrat e votimit u hapën në 08:00 të mëngjesit dhe mbyllën rreth orës 18:00, për të nisur më pas procesi i numërimit të votave.

Sipas Komisionit të Organizimit të Operacioneve Elektorale në PD, kanë qenë rreth 55 281 votues që kanë shprehur pëlqimin e tyre në të gjithë vendin.

Në një deklaratë pas mbylljes së procesit të votimit, kreu i demokratëve Sali Berisha e cilësoi atë që ka ndodhur si një standard të ri për demokracinë.

“Vendoset në këtë mënyrë një standard demokratik, i pa parë më parë në parë në Shqipëri. Theksoj se absolutisht nuk pretendohet të ishte një proces i përsosur. Jo. Nuk mund të pretendosh një gjë të tillë. Por se u bë çfarë ishte e mundur për procesin më të mirë”.

Berisha hodhi poshtë akuzat e disa kandidatëve për përcaktim të fituesit nga qendra, ndërsa dha edhe shpjegimin për pretendimet për listat.

“Në mënyrë absolute nuk ka patur asnjë kandidat të mbështetur nga Sali Berisha, as dhe kryesia e PD. Mund të më thoni ju mua, po a ka patur edhe zgjedhës socialistë në ato lista? Unë dorën në zjarr nuk e ve s’e nuk ka patur. A kanë qenë një problem këto raste ‘ekzotike’? Jo nuk kanë qenë problem”.

Zgjedhjet nuk u mbajtën në Malësinë e Madhe për shkak të zhvillimeve të Brendshme në Partinë Demokratike, ndërsa bashkitë e Himarës, Finiqit, Dropullit dhe Pustecit iu lanë aleatëve. Pjesë e primareve u bënë edhe kandidatë të Partisë së Lirisë në bashkitë e Kuçovës, Skraparit, Përrenjasit dhe Memaliajt. Në Shkodër dhe Elbasan pati vetëm një kandidat ku u konfirmuan emrat e Luçiano Boçit dhe Bardh Spahisë.

Tv Klan