13 nëntor 2026 – Partia Demokratike ka prezantuar një sërë propozimesh për reformën zgjedhore, me fokus garantimin e pavarësisë së institucioneve shtetërore nga ndikimi politik dhe shmangien e përdorimit të fondeve apo aseteve publike në funksion të fushatave elektorale.
Në paketën e propozuar parashikohen edhe masa konkrete për ndëshkimin e shkeljeve, ku përfshihen shpallja e pavlefshme e zgjedhjeve, përjashtimi nga e drejta për të kandiduar dhe ndërprerja e mandateve në rastet kur konstatohen shkelje të rënda.
Në dokumentin e saj të qëndrimit, PD thekson se zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nuk varet vetëm nga procesi teknik i votimit dhe numërimit. Sipas demokratëve, një proces zgjedhor i besueshëm kërkon institucione të paanshme, administratë publike të çliruar nga ndikimi partiak dhe mbrojtje të qytetarëve nga çdo formë presioni, joshjeje apo ndëshkimi për shkak të bindjeve politike.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD, Sali Berisha bëri të ditur se janë të gatshëm për lista 100% të hapur për Këshillin Bashkiak. Ai theksoi se asnjë parti nuk do të marrë vota nga partitë e tjera.
“Ne jemi për listë të hapur të partive dhe asnjë votë partitë e tjera të mos mund të marrin nga asnjë parti. E bëjmë këtë sepse është demokratike, por edhe sepse ne jemi për bashkimin e të gjithë faktorëve opozitarë kundër të keqes më të madhe që e ka emrin Edi Rama. I garantoj edhe një herë aleatët tanë, aleatët në potencial apo qofshin dhe jo, por që janë opozitarë, se ne jemi për lista 100% të hapura për këshilltarë bashkiakë. Duhet të jem shumë i hapur. Raundi i dytë në prani të qeverisë teknike do të ishte zgjidhja më e mirë, raundi me balotazh, por në mungesë të qeverisë teknike absolutisht ky është një shesh për narko-qeverinë për të vazhduar plaçkitjen e saj”, tha Berisha.
Më tej, kryedemokrati u shpreh se PD është për barazi të plotë në vendimmarrjen e KQZ-së, dhe se është totalisht kundër për numërimin elektronik të votave.
“Ne jemi për vendosjen e barazisë së plotë në vendimmarrje në KQZ, pozitë-opozitë. KQZ-ja aktuale është e damkosur në raportet ndërkombëtare, e keni lexuar vetë, ndaj dhe ne të bashkohemi dhe të krijojmë një institucion zgjedhor me të drejta të barabarta.
Me mençuri kanë vendosur detyrimin e çdo qytetari që të votojë, duke përjashtuar pra mundësinë e blerjes të të drejtës së votës. Se tjetër vota, tjetër e drejta e votës. Vota është ‘hajde voto për mua të jap kaq lekë’, kurse kjo ‘jo, jo rri në shtëpi ti’. Këtë e kanë përdorur masivisht.
Pra, ne duhet të kërkojmë votim të detyrueshëm për qytetarët. Jemi kategorik kundër çdo forme numërimi elektronik mbasi ky lloj numërimi është shfaqur me probleme të mëdha në shumë vende. Në Shqipëri po e po, por dhe vende të tjera të botës. Asnjë votim elektronik.
Për votën e diasporës, duhet të diskutojmë gjerësisht se ne e pamë, nuk e kundërshtojmë kurrë të drejtën e tyre të votës, por mënyra e zbatimit të kësaj duhet parw, të gjejmë mënyrat më të sigurta, më transparente. Ndaj dhe përpiqemi, zotërinj deputetë, të bëjmë të pamundurën për të përcaktuar të gjitha modalitetet”, shtoi ai.
Një tjetër element i rëndësishëm, i cili u theksua gjatë mbledhjes nga nënkryetari i PD, Oerd Bylykbashi është përcaktimi i qartë i përgjegjësive në rastet e abuzimit me asetet shtetërore. Për këtë qëllim, PD sugjeron një mekanizëm që identifikon burimin publik të përdorur, lidhjen e tij me procesin zgjedhor, subjektin që mban përgjegjësi dhe mënyrat për ndalimin e shkeljes.
“Problemi kryesor që konstatohet është prishja e ndarjes së shtetit dhe partisë. Prishja e fushës së barabartë të lojës dhe përfitimi i avantazhit të pushtetit shtetëror nga partia në pushtet. Praktikisht, kjo e përdorur jo vetëm për të krijuar avantazh për partinë në pushtet, por edhe për të intimiduar zgjedhësit. Ne kemi përgatitur një paketë të gjerë e të plotë, e cila nuk mund të copëtohet e të gjymtohet, por duhet që të trajtohet si e tillë.
Së pari, koncepti bazë, ndarja e shtetit nga partia, sepse partia duhet të konkurrojë me burimet e partisë, ndërkohë që shteti qeveris me burimet e shtetit. Një pretendim që PS për të mbrojtur me thonj këtë avantazh që ka, jo vetëm e ka shfrytëzuar deri më sot, por e ka kthyer në një sistem dhe në një makineri që shpartallon zgjedhjet. Shteti funksionon në një mënyrë neutrale dhe asnjë gjë tjetër që përdoret për të cenuar zgjedhjet nuk do të lejohet.
Çfarë ndryshon kjo paketë?! Kjo e trajton abuzimin me burime shtetërore si diçka, që nuk është vetëm e fushatës zgjedhore dhe e ditës së zgjedhjeve, por është më e gjatë, madje e përhershme. Shteti duhet të jetë i ndarë nga partia sipas parimeve të OSBE/ODIHR, gjatë gjithë kohës. Është një sistem i tërë që duhet trajtuar për të garantuar ndër të tjera, mirëqeverisje”, tha Bylykbashi.
Për të mbështetur nismën e saj, Partia Demokratike i referohet standardeve dhe rekomandimeve ndërkombëtare për zgjedhjet demokratike. Në këtë kuadër përmenden Dokumenti i Kopenhagenit i OSBE-së, si dhe udhëzimet e përbashkëta të Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it.
Në argumentimin e saj, PD sjell gjithashtu në vëmendje raportin përfundimtar të ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Në këtë raport janë ngritur shqetësime lidhur me mungesën e kushteve të barabarta për garën politike, përdorimin e mundshëm të burimeve shtetërore në fushatë dhe raportimet për presion ndaj punonjësve të administratës publike.












Botërori 2026 
