Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka cilësuar Vladimir Putinin si “vrasës”, duke iu përgjigjur deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili këtë javë iu referua liderit rus si “miku im” gjatë vizitës në Kinë.
Në një intervistë për CNN, Zelensky tha se Trump është i lirë ta quajë Putinin si të dëshirojë, por theksoi se për Ukrainën ai mbetet armik dhe përgjegjës për vrasjen e njerëzve.
“Për ne, ai është armik… për ne, ai është një vrasës”, u shpreh presidenti ukrainas. Sipas tij, fakti që Trump i referohet Putinit si mik tregon se presidenti rus nuk po përballet me presionin e nevojshëm.
Para takimit historik trepalësh me presidentin kinez Xi Jinping dhe Vladimir Putinin, Trump e kishte quajtur liderin rus “mikun tim”, duke thënë se të dy kanë pasur një marrëdhënie shumë të mirë prej vitesh. Edhe pas sulmeve të fundit ruse ndaj Ukrainës, Trump përsëriti se e konsideron Putinin mik, megjithëse tha se nuk mund të flasë nëse ai është mik i Shteteve të Bashkuara.
Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se beson që si Zelensky, ashtu edhe Putin dëshirojnë t’i japin fund luftës dhe se marrëdhënia e tij me liderin rus është një faktor pozitiv.
Ndërkohë, sulmet ruse ndaj Ukrainës kanë vijuar edhe gjatë natës. Dy persona, mes tyre një djalë i mitur, u vranë dhe 52 të tjerë u plagosën nga goditjet me raketa dhe dronë në qytetin Kryvyi Rih, në rajonin qendror të Dnipropetrovskut, vendlindja e Zelenskyt.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës njoftoi gjithashtu se 11 persona u plagosën në rajonin verilindor të Kharkivit dhe një tjetër në Rivne, në veriperëndim të vendit.
Këto sulme vijnë vetëm pak ditë pasi Rusia ndërmori një nga goditjet më të mëdha të këtij viti ndaj Ukrainës. Të premten, të paktën nëntë persona u vranë nga sulmet ndaj urave në Kiev dhe stacioneve hekurudhore në perëndim të vendit. Sipas autoriteteve ukrainase, Rusia përdori mbi 400 dronë dhe 110 raketa, mes tyre 27 raketa balistike. Zelensky e cilësoi këtë sulm si më të madhin e vitit.
Sulmi ndodhi disa ditë pasi Ukraina kishte dëmtuar rëndë Urën e Krimesë, e cila lidh gadishullin e aneksuar nga Rusia me territorin rus.
Ndërkohë, tensionet janë shtuar edhe në kufijtë e NATO-s. Polonia njoftoi se tre mjete ajrore shkelën hapësirën e saj ajrore në juglindje të vendit gjatë sulmeve ruse ndaj Ukrainës të premten. Sipas autoriteteve polake, mes tyre ishte edhe një raketë lundruese ruse, e cila goditi një zonë rurale në Nowy Lipowiec, rreth 50 kilometra nga kufiri me Ukrainën. Dy mjetet e tjera dyshohet se ishin një raketë tjetër lundruese dhe një dron me motor reaktiv.
Ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski, deklaroi se raketat kishin sisteme drejtimi, ndaj është shumë e pamundur që ato të kenë dalë nga trajektorja për shkak të ndërhyrjeve elektronike ukrainase. Ai theksoi se lufta në Ukrainë po ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e vendeve të tjera evropiane.
Nga incidenti nuk pati të plagosur dhe nuk u raportuan dëme materiale. Megjithatë, Varshava e cilësoi ngjarjen si një “provokim” nga Moska.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dënoi shkeljet e rënda të hapësirës ajrore polake dhe bëri të ditur se aleanca kishte ngritur në ajër avionët luftarakë në përgjigje të incidentit. Rusia nuk ka reaguar ende për këto shkelje.
Vladimir Putin nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, ndërsa luftimet dhe sulmet ndaj territorit ukrainas vijojnë prej më shumë se katër vitesh.
/tvklan.al












Botërori 2026 
