Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kundërshtuar planin 15-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump për Gazën, duke deklaruar se Izraeli nuk do të tërheqë forcat e tij nga territori palestinez, përpara se Hamasi të jetë çarmatosur në mënyrë të plotë.

Në një mbledhje të kabinetit të zhvilluar të dielën, Netanyahu tha se Izraeli “refuzon dokumentin me 15 pika” dhe se ushtria izraelite nuk do të ketë asnjë tërheqje nga Gaza, derisa të jetë e sigurt se Hamasi është çarmatosur.

Sipas tij, forcat izraelite do të vazhdojnë gjithashtu të veprojnë për të parandaluar kërcënimet ndaj ushtarëve dhe qytetarëve izraelitë. Netanyahu theksoi se çarmatosja e Hamasit nuk mund të jetë vetëm formale apo e sajuar, por duhet të jetë konkrete dhe e verifikueshme.

Deklaratat e kryeministrit izraelit vijnë pasi anëtarët e Bordit të Paqes të Trump njoftuan muajin e kaluar se kishte arritur një marrëveshje, që parashikonte çarmatosjen e plotë të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Gaza.

Megjithatë, Hamasi ka vendosur kushte për dorëzimin e armëve të rënda, duke kërkuar që Izraeli t’i japë fund të gjitha formave të agresionit dhe të tërheqë forcat e tij nga Gaza. Pavarësisht marrëveshjes fillestare për armëpushim, Izraeli ka vazhduar të kryejë sulme në territorin e Gazës që nga tetori i vitit të kaluar.

Presidenti amerikan Donald Trump e kishte cilësuar muajin e kaluar pranimin e planit të çarmatosjes nga Hamasi si një “hap monumental drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme”. Plani i tij synon të krijojë një kornizë të re për administrimin dhe rindërtimin e Gazës, duke përfshirë çarmatosjen e grupeve të armatosura, tërheqjen graduale të trupave izraelite dhe rindërtimin e territorit.

Por Netanyahu duket se po vendos një vijë të kuqe të qartë: sipas tij, tërheqja izraelite nuk mund të ndodhë përpara çarmatosjes së Hamasit. Kryeministri izraelit tha se është duke zhvilluar bisedime me zyrtarët amerikanë për mënyrën sesi mund të vazhdohet procesi, por pranoi se palët nuk janë dakord për të gjitha çështjet.

“Disa prej pikave janë të pranueshme për ne dhe disa jo”, tha Netanyahu, duke shtuar se Izraeli di sesi të mbrojë qëndrimin e tij në këto çështje.

Kundërshtimi i Netanyahut përbën një tjetër goditje për planin e Trumpit për Gazën, i cili u prezantua në shtator të vitit të kaluar dhe synon t’i japë fund konfliktit dhe të krijojë një mekanizëm të ri për administrimin e territorit.

Sipas planit, Bordi i Paqes do të mbikëqyrte zbatimin e marrëveshjes, ndërsa procesi do të përfshinte çarmatosjen e Hamasit, tërheqjen e trupave izraelite dhe nisjen e një procesi të gjerë rindërtimi në Gaza.

Qëndrimi i kryeministrit izraelit vjen gjithashtu në një moment të ndjeshëm politik në Izrael, vetëm disa muaj përpara zgjedhjeve. Netanyahu përballet me presion nga aleatët e tij të krahut të djathtë, të cilët kanë kërkuar një votim të ri në kabinet dhe kundërshtojnë pjesë të marrëveshjes për Gazën.

/tvklan.al