Ka nisur procedimi në gjendje të lirë për Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së Flamur Noka.
Siç bën me dije Policia, incidenti i ndodhur në qendrën e votimit në Vorë është referuar në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa materialet do të dorëzohen edhe në SPAK. Noka është kallëzuar për pengim dhe kanosje të ushtrimit të vullnetit politik të zgjedhësve.
“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, pasi komunikimit me Prokurorin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. N, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, për veprën penale “Kanosja/dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”. Procedimi në gjendje të lirë nisi pasi në bazë të kallëzimeve të shtetasve Xh. A., 29 vjeç dhe M. D., 33 vjeç, ky shtetas ditën e sotme, në Vorë, i ka penguar dhe kanosur për të ushtruar të drejtën e votimit. Materialet procedurale do t’i referohen Spak, për hetime të metejshme”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Më poshtë, videoja e siguruar nga Klan News ku Noka i shoqëruar nga demokratja Albana Vokshi i drejtohen me tone të ashpra një qytetari.
/tvklan.al