Një i ri mbeti i plagosur me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të shtune në një prej zonave më të populluara të Tiranës, atë të ish-Bllokut.

I plagosur nga kjo ngjarje ka mbetur Ilir Shkurti, 32-vjeç. Këtë identitet e ka dhënë në spital vetë i plagosuri sipas burimeve policore. Ai ka marrë një plagë në këmbë dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja ndodhi pranë një lokali të njohur në zonës së njohur si ‘Pallatet Agimi’. I plagosuri u qëllua nga një makinë në lëvizje.

Fare pak kohë pas ngjarjes, policia njoftoi se kishte mundur të ndalonte një prej autorëve të dyshuar ashtu sikurse edhe automjetin me të cilin lëviznin autorët. I arrestuari është 38-vjeçari Kridens Meçollari. Ndërkohë autoritetet janë vënë në ndjekje të personit tjetër që ndodhej me 38-vjeçarin, i cili arriti të zbriste nga makina dhe i shpëtoi policisë.

Sa i përket motiveve, policia thotë se dyshohet që gjithçka ka ndodhur pas një konflikti të çastit.

Njoftimi i policisë

Fale reagimit të menjehershëm të shërbimeve të Policisë në kohë rekord u bë e mundur kapja dhe arrestimi i njërit prej autorëve të plagosjes me armë të një shtetasi si dhe bllokimi i mjetit me të cilin autorët u larguan nga vendi I ngjarjes.

Rreth orës 19:00, në vendin e quajtur “Shallvaret” në afërsi të një bar-kafeje, dyshohet se pas një konflikti të çastit është plagosur me armë zjarri shtetasi I. Sh, 32 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Si rezultat i reagimit të menjehershëm të sherbimeve të Policisë në kohë rekord u bë kapja dhe shoqërimi në ambientet e Policisë për veprime të metejshme i njërit prej autorëve të dyshuar të ngjarjes shtetasit K. M, 38 vjeç dhe bllokimi i mjetit tip “Benz” që u përdor nga autorët për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit tjetër të ngjarjes i cili ka mundur të zbresë nga automjeti dhe të largohet në brendësi të pallateve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të saj. /tvklan.al