Blendi Fevziu, drejtues i emisionit “Opinion”: Dita e tretë që vij për të parë babin në zemër të Tiranës, te Shkolla e Kuqe, dhe të treja ditët i gjej plehrat. Si mund të rrinë plehrat kështu në rrugë, kjo është e tmerrshme. Është sëmundje e gjallë.
Por ky nuk është një problem treditor. Banorët e kësaj lagjeje shumë pranë qendrës dëshmojnë se pirgjet e mbeturinave harrohen aty për muaj të tërë, duke u kthyer në një makth që ka nisur që përpara festave të fundvitit.
“Kanë këtu që para Vitit të Ri. Jemi ankuar, thonë do i heqin, por s’kanë ardhur”, thotë një banor.
Kjo është pamja me të cilën përballen çdo ditë qytetarët. Edhe pse ankesat drejtuar bashkisë kanë qenë të shumta, reagimi i institucioneve ka qenë zero, duke lënë mbeturinat të shtohen në mes të rrugës.
Në të njëjtat kushte po e mbyllin vitin arsimor edhe nxënësit e “Shkollës së Kuqe”. Mbetjet urbane qëndrojnë të grumbulluara pas murit rrethues të institucionit arsimor që nga viti i kaluar, duke sfiduar çdo normë higjieno-sanitare.
“Plehrat pranë shkollës janë të papranueshme, bashkia duhet të marrë masat”, shprehet një tjetër banor.
Për banorët që jetojnë këtu pranë, situata është bërë e padurueshme. Era e rëndë dhe rreziku i infeksioneve i shoqëron në çdo moment të ditës.
“Nuk hapim dot dritaren, plehrat përballë”, shton një banor tjetër.
Mjaftoi ky denoncim i bërë nga gazetari Blendi Fevziu dhe punonjësit e pastrimit ndërhynë për të larguar mbetjet që qëndronin aty prej tre ditësh.
Por ky skandal mjedisor nuk është i izoluar vetëm te “Shkolla e Kuqe”. Pamje të tilla, ku mbeturinat pushtojnë rrugët dhe trotuaret, i ndesh kudo nëpër lagjet e Tiranës, jo vetëm në periferi, por edhe brenda Unazës së Vogël të qytetit.
“Janë shumë shqetësim. Bashkia të bëjë kontrolle nëse e bëjnë punën apo jo punëtorët”, thotë një tjetër banor për Tv Klan.
Me rritjen e temperaturave të verës, alarmi rritet edhe më shumë. Këto pika të nxehta të mbetjeve po kthehen në vatra të mirëfillta infeksioni, duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve.
Edhe pse Tirana po mbytet nga papastërtia dhe era e keqe, ana financiare e projektit të pastrimit nuk mungon. Për vitin 2026, Bashkia e Tiranës ka akorduar një fond prej mbi 2 miliardë lekësh për kompaninë përgjegjëse “Eco Tirana”.
Megjithatë, kur jemi në gjysmën e vitit, rezultatet në terren tregojnë një dështim të plotë të bashkisë dhe “Eco Tirana” në menaxhimin e mbetjeve. Përveç qytetarëve që vuajnë pasojat çdo ditë, kjo situatë po godet rëndë edhe turizmin, duke ofruar një pamje mjerane në zonat më të frekuentuara dhe në lagjet historike të kryeqytetit.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 