Policia e Tiranës beson se 34-vjeçari Eglant Koçi, i zhdukur prej disa ditësh dhe që dyshohet se u mor peng nga miku i tij Armand Shakaj, i shpallur në kërkim, nuk jeton më. Në një konferencë për mediat, drejtori i bluve të kryeqytetit, Oliger Torba, tha se grupe të posaçme të policisë janë duke kërkuar për trupin e tij.

“Një strukturë e posaçme po kërkon për trupin e shtetasit Eglant Koçi. Kërkimet janë përqendruar kryesisht në rrethinat e Tiranës, mes kufirit ndarës me Elbasanin”.

Për kërkimet janë angazhuar edhe një grup i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Krahas shërbimeve të Policisë së Shtetit, në ndihmë na ka ardhur edhe një grup i posaçëm nga FSK-ja. Po vijon kërkimi, deri tani nuk kemi pasur rezultat konkret. Janë kontrolluar disa zona”.

34-vjeçari Eglant Koçi u denoncua i zhdukur nga familjarët më 5 qershor, teksa hetimet treguan se ai u pa për herë të fundit në lokalin e mikut të tij Armand Shakaj, ku ky i fundit konstatohet nga një kamerë sigurie duke nxjerrë diçka me një qeskë të zezë.

Në pranga për ngjarjen është vënë kamarieri i lokalit, për dyshimet se ka ndihmuar Shakajn në këtë ngjarje.

Tv Klan

/tvklan.al