Portugezët iu rikthyen detit, plazheve, nën diellin dhe temperaturat mbi 30 gradë, ndërsa qeveria lehtësoi kufizimet e koronavirusit. Pushuesit në plazhet portugeze janë këshilluar që të mbajnë të paktën 1.5 metra larg nga të tjerët.

Edhe presidenti portugez Marcelo Rebelo de Sousa shfrytëzoi temperaturat e larta për të bërë një zhytje në plazhin e Cascais. Presidenti tha se uji ishte më i ngrohtë se zakonisht për këtë kohë të vitit ndërkaq ishte i kënaqur që qytetarët po i zbatonin rregullat e distancës sociale në plazhe.

Pushuesit në plazhet portugeze nuk janë detyruar që të paguajnë për çadra apo shezllone. Ashtu si presidenti edhe kryeministri Antonio Costa me bashkëshorten vendosën çadrën e tyre ne rërë dhe shijuan detin.

Shumë pushues u ankuan se nuk u respektuan rregullat në plazh. “Nuk kam pritur aq shumë njerëz në plazh sot,” tha një grua në plazhin e Costa de Caparica.

“Ne po mundohemi të mbajmë distancën e sigurisë, e cila nuk është e lehtë sepse ka shumë njerëz, madje edhe në det”.

Qeveria portugeze ka planifikuar të hedhë në përdorim një aplikacion në smartphone në fillim të muajit të ardhshëm për të ndihmuar njerëzit të shmangin turmat duke lëshuar paralajmërime për ato plazhe që do të jenë të mbipopulluara.

Aktualisht në Portugali maskat mbrojtëse për fytyrën janë të detyrueshme në transportin publik dhe hapësirat e mbyllura.

Përhapja e koronavirusit ka qenë më e kufizuar në Portugali, e cila ka raportuar 1 302 viktima, krahasuar me Spanjën fqinje, ku kanë vdekur 28.628 njerëz.

Klan Plus