Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka premtuar se do të hidhen në punë 600 milionë Euro deri në vitin 2027 për projekte të reja në Shqipëri.

Gjatë fjalës së tij në konferencë për shtyp, Presidenti Macron ka deklaruar se Franca dëshiron të hapë terrene të reja në Shqipëri, sidomos për ato që thotë se nuk kanë qenë mjaftueshëm të pranueshëm.

Macron shprehet se vullneti i Francës është përgatija në javët e ardhshme një marrëveshje mes dy qeverive që do ta strukturojë dhe ta çojë në nivel më të lartë marrëdhënien me vendin tonë.

Emmanuel Macron: Marrëveshja që u nënshkrua për kinemanë është një etapë e rëndësishme për të ndërtuar një botë imagjinare franko-shqiptare dhe plotësisht europiane dhe për të punuar bashkë. Gjithashtu, faleminderit që na rezervuat kubin tek Piramida dhe Vilën 31 që do të përdoret nga fondacioni “Art Explora” ku do të shkojmë pak më vonë. Është diçka shumë e guximshme nga ana juaj dhe tregon vullnetin që kemi ne për të ecur përpara me ju. Shpresoj ta vazhdojmë këtë rrugë duke investuar akoma më shumë në gjuhën frënge duke shoqëruar akoma më shumë aleancat tona franceze dhe rrjetet tona e të ecim bashkërisht për liceun francez të Korçës. Mund të keni besim tek unë!

Ajo që dëshirojmë të bëjmë është, gjithashtu, të hapim terrene të reja sidomos për ato ku nuk kemi qenë mjaftueshëm të pranueshëm. Javën e kaluar ka pasur një delegacion të rëndësishëm nga Neë Delphi dhe janë nënshkruar marrëveshje të rëndësishme në fushën e energjisë së rinovueshme fotovoltaike. Është një hap përpara në infrastrukturën në sektorin e ujit, në inovacion, në logjistikë e gjithashtu në infrastrukturat aeroportuale dhe shpresoj që ne të jemi në krahun tuaj, në ambicien tuaj për turizmin. Të kemi francezë të planit të parë në krahun tonë në lidhje me këtë është shumë e rëndësishme që jo vetëm ju të hapni shkolla të nivelit të parë, por gjithashtu të formoheni.

Folëm për faktin që Franca do të angazhohet në krahun tuaj që të formojë shqiptarët dhe shqiptaret e reja ne zanatet e hotelerisë, restoranteve për të gjithë ata që janë të interesuar për zanatet e së ardhmes në vendin tonë. Për këtë arsye, kemi vullnetin për të hapur “shkollën 42” për zanatet digjitale. Trajnimet në këtë fushë është një sektor ku ne duam të ecim përpara.

Pak përpara, me Agjencinë Franceze të Zhvillimit do ta shoqërojmë Shqipërinë në reformat e saj ekonomike, tranzicionin energjetik dhe mjedisor. 210 milionë Euro janë hedhur në punë që prej vitit 2019 për 4 projekte dhe më shumë se 600 milionë do të hidhen deri në vitin 2027 për projekte të reja, sipas prioriteteve tuaja.

E shohim që axhenda dypalëshe po shndërrohet dhe vullneti ynë është që të përgatisim në javët e ardhshme një marrëveshje mes dy qeverive që do ta strukturojë këtë marrëdhënie dhe do ta mundësojë të shkojmë më lart.

Gjithashtu, gëzohem për atë çka kemi ndërtuar këto vite bashkë në fushën e bashkëpunimit të luftës kundër kriminalitetit dhe kundër trafikut. Dua t’ju falenderoj shumë që keni qenë mjaftueshëm efikas në këtë fushë, gjë që na ka bërë të mundur të nënshkruajmë një marrëveshje në vitin 2018, por gjithashtu ta vëmë në zbatim dhe sikurse e thatë ju, ta bëjmë si shembull që është kopjuar, imituar nga shumë vende të tjera europiane.

Do të vazhdojmë të ecim përpara, të përforcuar nga kjo dinamikë sepse unë jam i bindur që vendi juaj është i ankoruar në Europë, jo vetëm në këtë zonë ku deshën t’iu mbyllnin shumë herë ndërsa ju kishit atë karakterin tuaj të veçantë të Ballkanit Perëndimor, por gjithashtu në Mesdheun tonë, në zemër të kontinentit tonë./tvklan.al