Emisioni Stop në Tv Klan transmetoi sonte rastin e ish-drejtorit të doganës në Korçë, Kristaq Skupra, dhe bashkëshortes së tij Vasillo Skupra, që në vitin 2001 i kishin dhënë 250 milionë Lekë të vjetra qytetarit Petraq Dodi. Jo vetëm kaq, por këto para ia kishin dhënë me fajde.

Stop u interesua pranë ILDKPKI dhe tregoi me fakte se të ardhurat e familjes Skupra në deklaratën e pasurisë së vitit 2004, kapnin shifrën e 30 milionë Lekëve të vjetra. Natyrishëm lind pyetja ku i gjetën 250 milionë Lekë të vjetra?

Por çfarë po ndodh me hetimet për këtë rast? Vepra penale mbi pastrimin e parave që rëndon mbi çiftin Skupra, ka më shumë se 3 vjet që është nën hetim nga Prokuroria e Korçës nga prokurori Gentian Stoja. Hetimi është zvarritur prej 3 vitesh.

Vetë Kristaq Skupra thotë për mikrofonin e Stop se është thirrur nga Prokuroria ku ka dhanë shpjegimet e nevojshme.

Jemi thirrur nga organi i Prokurorisë dhe jemi investiguar për burimin e të ardhurave. Është mbajtur procesverbali përkatës, ekziston në organet e Prokurorisë, kanë qenë në dispozicion të gjitha brenda ligjit. Janë bërë verifikimet, rezultuan në rregull, s’kemi pasur problem. Nuk kam fshehur deri më sot as 1 mijë Lekë”, shprehet ish-drejtori i doganës Korçë.

Pak kohë më parë, në Shkodër pati një rast të dhënies së parave me fajde, kur policia shkatërroi një grup kriminal. Ndërsa për rastin e çiftit Skupra në Korçë, vepra penale e dhënies së parave me fajde nuk ekziston. /tvklan.al