Në podcastin e tij “Flasim”, si çdo të dielë, kryeministri Edi Rama u prononcua për momentet më kyçe të javës që po lëmë pas.
Ai fillimisht u ndal në protestën e fundit të Partisë Demokratike, atë të 10 shkurtit, që u shoqërua me incidente. Po ashtu foli për gjyqin në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, vendimin për pezullimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, e të tjera.
Protesta e opozitës/ Rama: Jashtëderdhje e plakut që na prish imazhin në Evropë
Kryeministri Rama u shpreh se pjesëmarrësit në protestë, të cilët shpesh maskohen dhe përdorin mjete të rrezikshme si molotovë, kanë plagosur punonjës të policisë dhe kanë dëmtuar pronë publike dhe madje janë paguar për këtë.
“Kisha shumë kohë, s’mbahet mend pa komentuar ndonjë protestë të opozitës deri kur dy javë më parë pas një përshkallëzimi të dhunshëm bëra një koment për të thënë diçka sa të thjesht, aq dhe të vërtete. Sepse është e vërtetë, në Europë ka protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, antiglobalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj neofashistë që dalin në rrugë për arsyet e tyre. Maskohen, armatosen me molotovë, thyejnë, djegin, plagosin punonjës policie, shkatërrojnë prona. Por qysh nga koha e partive famëkëqija e 100 viteve më parë, atyre në Gjermani dhe në Itali, të cilat i paraprinë pastaj epokës së zymtë sa s’thuhet të fashizmit dhe të nazizmit, ka vetëm një parti parlamentare në Europë që të ketë në programin e aktivitetit të saj pjesë të pandarë të ekzistencës së vet që nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve deri dhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror. Kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve që veshin maska, fshehin fytyrën pas tabelave dhe presin sinjalin për të mbaruar punën për të cilën janë paguar duke hedhur molotov pa u identifikuar nga kamerat sipas planit.
Dhe mercenarët u shfaqën përsëri në krye të kësaj jave dhe bënë dhe më shumë dëm duke kaluar tanimë në hedhjen e bombave të mirëfillta artizanale të përgatitura nga udhëheqja e të ashtuquajturës dhe ndjesëpastës Partisë Demokratike dhe duke plagosur ende më shumë punonjës të policisë deri në shkaktimin e plagëve nga djegia.”, u shpreh kreu i qeverisë.
Kryeministri theksoi se fenomeni nuk është i krahasueshëm me protesta normale në Europë, por përfaqëson një degjenerim të një force politike, e cila ka si qëllim vetëm prishjen e imazhit të vendit.
“Është e qartë që këto farë protestash me atë pisllëkun që krijojnë në bulevard, ja shikojini dhe mendojini kështu si po ju them, janë një jashtëderdhje në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon dhe pastaj fërkon duart kur pamjet e jashtëderdhjeve të tij dalin nëpër mediat e huaja duke lënduar imazhin e Shqipërisë dhe duke krijuar idenë se ç’po ndodh në Shqipëri.
Në fakt ajo që po ndodh në raport me sa po themi është një degjenerim i pandalshëm dhe shpërthimi i një dëshpërimi të pa ngushëllueshëm, rezultati rrudhja e mëtejshme e një partie t’i thuash, e një force, se di çfarë force ka më, e një arabeje politike që s’ka asnjë mision, por ka vetëm një funksion, të shkarkojë rropullitë e plakut. Asgjë më shumë, asgjë më pak. Vaj medet pikë e zezë.”, shtoi ai.
Pretenca për ish-krerët e UÇK-së, Rama: Turp për idiotin ndërkombëtar që e lexoi, prokurorët, dhe shtetet që…
Mes të tjerash, kryeministri Rama u ndal edhe tek gjyqi që po zhvillohet në Gjykatën Speciale të Hagës kundër ish-krerëve të UÇK-së. Kryeministri u shpreh nuk ka prova të mjaftueshme për të lidhur drejtëpërdrejt krimet me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
“Prokuroria e Hagës kërkoi 45 vite burg për Hashim Thaçin dhe për secilin prej tre udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Mu desh dhe më duhet sinqerisht, më duhet kohë të kuptoj se si mund të përballet një gjë e tillë, një çmenduri e tillë, një paturpësi e tillë, një mizori e tillë, me fjalë.
Kërkesa për 45 vite burg për të katër figurat domethënëse të Luftës Çlirimtare, ishte një bombë e hedhur mbi popullin dhe mbi Republikën e Kosovës. Një prokurori krejt e padenjë, e cila për të marrë në shqyrtim historinë e përgjakshme të Luftës Çlirimtare të Kosovës bëri gjashtë vite hetim dhe doli me pretendimin se gjatë viteve ‘98-99, qenkan kryer krime kundër njerëzimit dhe krime luftës ndaj civilëve. Por nuk ka asnjë ligj ndërkombëtar, që lejon dënime mbi pretendime të tilla dhe pa asnjë provë të qartë se ekziston një plan dhe një forcë e organizuar për të sulmuar dhe për t’u marrë jetën civilëve si të tillë, pse janë civilë.”, tha Rama lidhur me pretencën e Prokurorisë Speciale për t’i dënuar ish-krerët e UÇK-së me 45 vjet burg secili.
Ai kritikoi prokurorët e Hagës, duke thënë se kjo pretencë nuk është turp vetëm për ta, por edhe për shtetet që e mbështesin dhe e paguajnë atë gjykatë.
“Po ashtu, nuk ka asnjë lloj ligjësie dhe asnjë ligj ndërkombëtar që i hap rrugën dënimit të një udhëheqësi në një luftë çlirimtare, vetëm se ka qenë udhëheqës. Ama, pa provuar se ka dhënë urdhëra për të sulmuar civilët, se ka pasur kontroll real mbi të gjitha formacionet luftarake në territor të një ushtrie çlirimtare në emër, por të një tërësie forcash të bashkuara nga i njëjti ideal dhe qëllim, por jo në të njëjtin organizim në territor apo se ka pasur ndonjë lidhje tjetër drejtpërdrejtë me vepra penale të kësaj ububushmërie.
Dhe ajo farë prokurorie dështoi të sillte, qoftë në një provë të vetme për ta mbështetur këtë kërkesë mizore pas gjashtë a pak a shumë gjashtë vitesh hetime e mbështetur nga një zinxhir shtetesh demokratike, të cilat duhet të ndjehen të turpëruara nga një maskaradë e tillë. Ky nuk është një turp për ca prokurorë, për atë farë idioti ndërkombëtar që dilte dhe lexonte broçkulla. Ky është një turp për shtetet që e mbështesin atë gjykatë, që e paguajnë atë gjykatë, që mundësojnë rroga marramendëse për personazhe të kësaj injorance dhe njëkohësisht dhe të kësaj… nuk di çfarë të them, nuk di çfarë të them.”, shtoi kryeministri.
Pezullimi i Ballukut, të hënën depozitohet nisma për ndryshimet ligjore
Rama u ndal dhe tek pezullimi nga detyra i zv.kryeministres Belinda Balluku nga Gjykata Kushtetuese. Ai tha se donte të sqaronte konkluzionet e mbledhjes së fundit të Grupit Parlamentar të PS-së, duke thënë se vendimi i tyre për ndryshime ligjore nuk lidhet me individë, por “me parimin e ndarjes së pushteteve kushtetuese”.
Kreu i qeverisë theksoi se pezullimi i një ministri për një masë sigurimi penal nuk mund të bllokojë funksionet e tjera të ekzekutivit dhe se pavarësia e gjyqësorit nuk duhet të ndërhyjë në kompetencat e ligjvënësit dhe ekzekutivit, ndaj paralajmëroi se të hënën depozitohet në Kuvend nisma për të adresuar boshllëkun ligjor.
“Gjithsesi, tanimë kur as Gjykata Kushtetuese nuk mori dot vendim për rastin konkret, ne do të kalojmë përtej rastit konkret dhe të hënën në cilësinë e deputetit, unë, së bashku me Kryetarin e grupit Taulant Balla dhe me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, pra, me tre firmat tona do të depozitojmë nismën për të adresuar menjëherë boshllëkun në fjalë. Nisma do t’i paraqitet fillimisht, Grupit Parlamentar në mbledhjen e tij të fillim javës, ditën e hënë në mëngjes, dhe do të jetë transparente edhe për opinionin publik, pasi prezantimi i nismës do të bëhet me praninë e medias.”, tha Rama.
Ai u shpreh se gjykata në ushtrimin e kompetencave të saj ka të drejtë të vendosë masa sigurimi për çdo person nën hetim, por në të njëjtën kohë ka disa funksione, ku hyn edhe ai i ministrit, të cilat paralizohen nëse ministri pezullohet.
“Sot ajo është e pavarur dhe duhet të mbetet përgjithmonë e pavarur, por pavarësia e pushtetit gjyqësor mbaron aty ku fillon pavarësia e dy pushteteve të tjera, legjislativit dhe ekzekutivit, të cilat ndër të tjera kanë edhe të drejtën dhe detyrën të emërojnë apo të shkarkojnë ministra dhe kjo e drejtë dhe detyrë, nuk ndahet me gjyqësorin, nuk i takon gjyqësorit dhe nuk mund të lejohet që ta marrë gjyqësori.”, shtoi ai.
Rritja e pagave për zjarrfikësit, për të gjitha gradat
Miratimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave për rritjen e pagave për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin ishte një tjetër çështje për të cilën kryeministri Rama u ndal.
Ai tha se rritja përfshin të gjitha gradat, duke përfshirë një shtesë për disa funksione specifike: “Kemi miratuar këtë javë vendimin e Këshillit të Ministrave për rritjen e pagave për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin. Konkretisht, paga për gradë është rritur si rezultat i indeksimit për të gjitha gradat, por edhe si rezultat i një rritje shtesë për disa funksione sipas politikës së re të pagave. Pra, për asistent zjarrfikës, zjarrfikës, kryezjarrfikës, nënkomisar zjarrfikës dhe komisar zjarrfikës, ka një rritje shtesë të pagës përtej indeksimit.”
Dhe kostoja financiare për këtë vit sipas tij do të përballohet nga buxheti i miratuar i institucioneve përkatëse dhe për pushtetin vendor nga fondet e transferuara nga buxheti i shtetit tek arkat e vetë bashkive.
Kryeministri theksoi rëndësinë e forcimit të kapaciteteve teknike dhe njerëzore të këtij shërbimi dhe vlerësoi rolin jetik të zjarrfikësve në sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve.
“Është një vendim i planifikuar dhe i integruar në sistemin buxhetor. Është një mesazh i qartë, ku vlerësohet një shërbim gjithmonë e më jetik, lidhur me sigurinë e jetës dhe me mbrojtjen e pronës dhe zjarrfikësit janë ndër të parët që shkojnë aty, ku rreziku është krejt real dhe e përsëris në një kohë kur zjarret janë një fenomen, me sa duket, i pandalshëm dhe në zgjerim në rang global. Do të vazhdojmë të forcojmë, jo vetëm kapacitetet teknike të këtij shërbimi, por patjetër do të vazhdojmë t’i përkushtohemi burimeve njerëzore në këtë shërbim dhe sigurisht dinjitetit të të gjithë atyre që në uniformën e zjarrfikësit bëjnë heroizma.”, shtoi ai.
Bordi i Paqes, Rama: Këtë javë do jem në Uashington
Mes të tjerash, kryeministri u ndal edhe tek ftesa e presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump, për të marrë pjesë në themelimin e Bordit të Paqes në Uashington duke konfirmuar pjesëmarrjen e tij.
Ai theksoi për të disatën herë se Shqipëria do të jetë shtet themelues i bordit, duke kontribuar me dinjitet dhe pa pagesë, duke rikonfirmuar rolin e vendit në promovimin e paqes ndërkombëtare.
“Shënimi i fundit është i lidhur me jetën ndërkombëtare, nëse mund ta quaj kështu. Më ka ardhur këtë javë ftesa nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara për të vizituar Uashingtonin në ditët në vijim për atë që e kam paralajmëruar, kur ajo tufa e bombave artizanale, plaste dhe kërciste edhe në sallën e Kuvendit, me gjithfarëlloj pretendimesh që sot i nxjerrin përsëri qesharakë, duke thënë se unë nuk shkoj dot, se mua s’më kanë ftuar, se, se, se… Dhe faktikisht, siç e paralajmërova, do të jem në Uashington për themelimin zyrtar të Bordit të Paqes dhe për fillimin e aktivitetit të atij bordi, ku Shqipëria ka privilegjin të jetë shtet themelues dhe ku Shqipëria nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme, por kontribuon me dinjitetin dhe me atë që e ka bërë të respektohet ndërkombëtarisht dhe të ftohet, deri në këtë nivel kaq të lartë të diskutimit mbi të ardhmen e paqes.”, tha ai.
Fondi Social, Rama: 14 shërbime të reja në gjithë vendin
Rama u ndal edhe tek Fondi Social Kombëtar 2026, duke theksuar zgjerimin e shërbimeve nga 14 në vitin 2019, në 98 shërbime aktualisht.
Kryeministri u shpreh se fondi mbulon 65 mijë individë dhe për vitin 2026 do të financohen 14 shërbime të reja për fëmijët, nënat në nevojë, personat me aftësi ndryshe, të moshuarit dhe viktimat e dhunës.
“Një tjetër shënim që është pjesë e këtij ditari të kësaj jave, është ai që lidhet me Fondin Social Kombëtar 2026, ku kemi kaluar nga 14 shërbime në vitin 2019, në 98 shërbime aktive sot, dhe mund të themi se e kemi kthyer shërbimin social në një rrjet real mbrojtjeje sociale në të gjithë vendin. Janë 65 mijë individë, që përfshihen nën kujdestarinë e këtij rrjeti të organizuar mbështetje sociale, jo thjesht përmes financimit, por përmes një sistemi të strukturuar shërbimesh, që tanimë është shtrirë në nivel bashkie, buxheti i këtij fondi është rritur gjashtë herë që nga fillimi i kësaj reforme dhe vetëm këtë vit është 17% më i lartë se viti i shkuar. Kjo tregon konsolidim dhe prioritet të qartë politik për ata që janë më në nevojë.
Në vitin 2026 do të financohen 14 shërbime të reja për fëmijët dhe nënat në nevojë, për personat me aftësi ndryshe, për të moshuarit, gratë dhe vajzat e viktimave të dhunës, si dhe për fëmijët pa kujdes prindëror.”, tha Rama.
Ai shtoi se shërbimet do të ofrohen në disa qytete dhe do të përfshijnë edhe shërbime emergjence dhe linja këshillimi rajonale.
Nga këto 12 shërbime do të ofrohen në Durrës, Përrenjas, Kurbin, Skrapar, Himarë, Kavajë, Vorë, Korçë, Mat, Patos, Cërrik dhe Kamëz. Ndërsa në nivel rajonal do të ngrihen dy shërbime të reja emergjence dhe një linjë këshillimi për fëmijë.












Botërori 2026 