Disa bashki të vendit kanë kundërshtuar dtaftin e socialistëve për reformën territoriale, duke zhvilluar tubime në sheshet kryesore.
Një prej këtyre bashkive është dhe ajo e Divjakës, ku i pranishëm në tubim ishte dhe kryetari i Bashkisë, Josif Gorrea.
Ky i fundit, në fjalën e tij para protestuesve, u shpreh se ishte befasuar nga drafti i reformës territoriale, duke e cilësuar atë si një “bombë”. Ai tha se pavarësisht pozicionit të tij politik, nuk ka pasur asnjë informacion paraprak për përfshirjen e Bashkisë së Divjakës në listën bashkive që parashikohet të shkrihen.
“Falënderoj të gjithë organizatorët për këtë tubim, për këtë ngjarje të pazakontë, që të gjithëve na ra si bombë dje. Mendova që vetë ata do ta nisnin këtë fjalë të mbajtur këtu, por gjithsecili ka të drejtën e vet. Edhe unë, si një qytetar, si ju të gjithë, si ne të gjithë bashkë, jam vërtet i çuditur, megjithëse jam në një pozicion politik më në dijeni, por vërtet më ka rënë si bombë lajmi, kur pashë atje edhe bashkinë Divjakë, si një nga 15 bashkitë që do t’i bashkohej“, tha ai.
Gorrea deklaroi se ndihet i tradhtuar nga mënyra se si është prezantuar drafti i reformës territoriale, duke argumentuar se Divjaka nuk plotëson kriteret për t’u shkrirë. Sipas tij, bashkia ka një numër të lartë banorësh si në regjistrin civil, ashtu edhe sipas Censusit, ndaj vendimi nuk bazohet në kriterin e popullsisë.
“Ndihem i tradhtuar me të vërtetë, sepse pa asnjë lajm na vjen kjo bombë. Me të vërtetë, kjo nismë e qeverisë shqiptare ka kohë që përflitet, pra komisioni i reformës territoriale, me të dy krahët politikë, ka kohë që ka marrë nismën për të diskutuar, për të shikuar mundësitë se si do ta vijonte këtë reformë. Për fatin e keq, ajo që ndodhi dje nuk mund të quhet reformë për mua. Së pari, parimi kryesor i një reforme do të ishte numri i popullsisë. Unë kam fjetur i qetë. Bashkia jonë, në regjistrin civil, ka 56 mijë banorë dhe në numrin rendor, sipas bashkive, jemi numri 26. Duhej të shkriheshin 27 bashki që të na vinte radha Bashkisë Divjakë për nga numri i popullsisë. Një kjo. E dyta, edhe nga censusi, nga numërimi që u bë para dy vitesh, përsëri bashkia jonë ka një numër të lartë qytetarësh. Jetojnë, punojnë, pranë tokës, jemi 25 mijë. Përsëri kemi dyshime për atë numrin, sepse kemi vënë re se ata numëruesit nuk e kanë bërë mirë punën e tyre, por gjithsesi. Përsëri numri 25 mijë është një numër shumë i lartë”, u shpreh Gorrea.
Sakaq, administrata e Bashkisë Divjakë ka paralajmëruar se do të lërë punën duke nisur nga dita e hënë.
Qytetarët, të cilët janë me bindje edhe të majtë, edhe të djathtë, janë shprehur se do të dalin çdo ditë në protestë në sheshin kryesor të qytetit, derisa të anulohet projekti për reformën territoriale.
Dimali, protesta dhe peticione kundër bashkimit me Bashkinë Berat
Reforma territoriale ka nxjerrë në protestë edhe banorët e Bashkisë Dimal.
Të mbledhur në pedonalen e qytetit dhe me pankarta në duar, qytetarët kanë kërkuar që qeveria të mos e përfshijë Dimalin në ndryshimet e parashikuara nga reforma territoriale.
Protestuesit u shprehën se Dimali është vendi ku kanë zgjedhur të jetojnë dhe të rrisin fëmijët e tyre, duke theksuar se bashkia është një nga zonat me prodhimin më të madh bujqësor në vend.
Sipas tyre, Dimali nuk duhet të preket nga reforma, jo vetëm për shkak të shtrirjes territoriale dhe numrit të popullsisë, por edhe për vlerat historike dhe trashëgiminë që mbart.
Banorët argumentuan se një bashkim i mundshëm me Bashkinë Berat do t’ua vështirësonte jetën dhe aktivitetin ekonomik, veçanërisht fermerëve të njësive administrative Kutalli, Cukalat dhe Poshnjë.
Qytetarët gjithashtu nënshkruan edhe një peticion kundër reformës territoriale.
Klosi kundërshton reformën territoriale, administrata bojkoton punën
Qytetarë të Klosit u mblodhën në qendër të qytetit për të protestuar kundër projekt-hartës së re administrativo-territoriale të propozuar nga Partia Socialiste, e cila parashikon shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat.
Protesta nisi që në orët e paradites, ndërsa administrata e Bashkisë Klos bojkotoi punën për disa orë në shenjë kundërshtimi ndaj projektit. Protestuesit kërkuan që Klosi të ruajë statusin e bashkisë më vete, duke kundërshtuar një vendimmarrje që, sipas tyre, është marrë pa një konsultim të gjerë me komunitetin.
Sipas të dhënave të Censit 2023 të INSTAT-it, Bashkia Klos ka një sipërfaqe prej 357.48 km² dhe një popullsi prej 12,172 banorësh. Ajo përbëhet nga katër njësi administrative: Klos, Xibër, Suç dhe Gurrë, me qendër qytetin e Klosit.
Draftet PS-PD
Mazhoranca depozitoi më 30 korrik, propozimet e saj në Kuvend për ndarjen e re administrative‑territoriale, e cila parashikon uljen e numrit të bashkive në 46 nga 61 që janë aktualisht.
Në draftin e PS, risi është edhe krijimi i një organizimi të ri vendor, që do të quhet “qyteti” dhe do të ketë një status të veçantë ligjor, duke e organizuar vendin në 71 qytete dhe 387 njësi administrative. Ndërsa numri i qarqeve mbetet i pandryshuar, po 12.
Në qarkun më të madh, atë të Tiranës, Bashkia e Rrogozhinës propozohet të bashkohet me Kavajën, ndërsa Rinasi do të kalojë nga Bashkia e Krujës tek ajo e kryeqytetit. Në qarkun e dytë më të madh në vend, Patosi i bashkohet Fierit, ndërsa Lushnja i bashkohet Divjakës. Roskoveci dhe Mallakastra mbeten të paprekura.
Qarku i Elbasanit ka pësuar ndryshimet më të mëdha, ku Bashkitë Belsh dhe Cërrik i janë bashkuar Elbasanit, ndërsa Bashkia e Prrenjasit do t’i bashkohet Librazhdit. Të paprekura mbeten Bashkitë Peqin dhe Gramsh.
Edhe në qarkun e Durrësit propozohen ndryshime, ndërsa Bashkia e Fushë‑Krujës do t’i kalojë Krujës.
Ndryshime do të ketë edhe në Gjirokastër, ku Bashkisë do t’i shtohet Libohova. Në këtë qark, ndryshime të tjera janë Memaliaj që i bashkohet Tepelenës dhe Këlcyra me Përmetin. Ndërkohë, Bashkia e minoritetit Dropull mbetet e paprekur.
Korça do të shkojë me 5 bashki. Qytetit juglindor i bashkohet Maliqi, ndërsa Bashkitë e tjera Pustec, Ersekë, Bilisht dhe Pogradec mbeten njësoj. Qarku Kukës mbetet njësoj me 3 bashki: Kukës, Has dhe Tropojë.
Lezha ka ndryshime me Bashkinë Rubik që i bashkohet Rrëshenit, ndërsa Mamurrasi i kalon Kurbinit. Në qarkun Shkodër ndryshon vetëm Bashkia Fushë‑Arrëz, e cila i bashkohet Bashkisë Pukë.
Bashkisë së Vlorës do t’i bashkohet Bashkia e Selenicës, ndërsa Finiqi, Konispoli, Saranda dhe Delvina mbeten siç janë. Në qarkun Dibër, ndryshimi vjen vetëm për Bashkinë Mat, ku do t’i shtohet Bashkia e Klosit.
Ndërsa në Berat do t’i shtohet Bashkia e Dimalit dhe Poliçani, teksa Kuçova dhe Skrapari mbeten siç janë.

Ky konsolidim territorial, sipas Partisë Socialiste, nuk sjell “zhdukjen” e asnjë bashkie, por çdo qendër e prekur nga ky proces do të ketë përfaqësim institucional përmes nënkryetarit përkatës dhe përfaqësimit në këshillin bashkiak.
Nga ana tjetër, në draftin e Partisë Demokratike propozohet krijimi i 100 bashkive dhe 6 rajoneve, duke parashikuar shtimin e 39 njësive të reja vendore.
Mes zonave që PD kërkon t’i kthejë në bashki të veçanta janë Sukthi, Otllaku, Cakrani, Frakulla, Shishtaveci, Bicaj, Leskoviku, Voskopoja dhe Mokra.
Ndërkohë, ndarja e re rajonale do të bazohej në 6 rajone: Shkodër, Dibër-Kukës, Tiranë-Durrës, Elbasan-Korçë, Fier-Berat dhe Vlorë-Gjirokastër.












Botërori 2026 