Është diçka e rrallë që Vladimir Putin të presë personalisht njerëzit që zbresin nga një avion. Por mbrëmja e shkuar ishte ndryshe.

Siç shkruan BBC, në aeroportin e Moskës ai qëndronte për pritur rusët që kishte arritur t’i nxirrte nga burgjet e shteteve të huaja, si pjesë e një shkëmbimi të burgosurish mes Rusisë dhe Perëndimit, më i madhi që pas Luftës së Ftohtë. Jashtë avionit dolën 10 persona duke përfshirë spiunë, agjentë dhe një vrasës të dënuar.

“Mirëserdhët në mëmëdhe”, u tha Putin atyre.

Duket qartë se me këtë marrëveshje Moska beson se ka diçka për të festuar. Për të kthyerit në atdhe ishte shtruar një tapet i kuq dhe u mbajt garda e nderit. Kishte buqeta me lule dhe mbi të gjitha për disa edhe përqafime nga kreu i shtetit.

Putin përqafoi Vadim Krasikov, vrasësin e FSB-së që po vuante një dënim me burg përjetë në Gjermani për vrasjen e një disidenti çeçen me origjinë nga Gjeorgjia. Presidenti rus u premtoi të gjithëve nderime shtetërore.

“Dua t’ju drejtohem të gjithë juve që keni një lidhje të drejtpërdrejtë me shërbimin ushtarak. Faleminderit për besnikërinë ndaj betimit tuaj dhe detyrës ndaj mëmëdheut, që nuk ju ka harruar për asnjë moment”, u shpreh Putin.

Ka edhe një mesazh tjetër që shtypi pro Kremlinit po e nxjerr në pah tashmë. Shpëtim për ata që janë në burgjet e huaja.

“Tetë rusë që ishin burgosur në vendet e NATO-s janë kthyer në mëmëdhe në këmbim të individëve që kanë vepruar në dëm të sigurisë kombëtare të Rusisë”, tha gazeta qeveritare.

Referuar disidentëve të liruar nga Moska, gazeta Komsomolkaya Pravda pretendon se ata “groposën atdheun e tyre dhe shkuan tek ata që i punësuan”.

E kështu ka tentativa për të diskretituar kritikët dhe kundërshtarët e pushtetit, e duke lavdëruar besnikërinë e mbështetësve të pushtetit që portretizohen si patriotë të vërtetë. Kjo i bën autoritetet që shkëmbimin e të burgosurve ta “shesin” si sukses për Kremlinin.

Nuk ka dyshim se Kremlini e shikon këtë çështje si fitore për Moskën. Mori atë që deshi, agjentët e saj, duke përfshirë edhe personin që ishte numri 1 në listën e dëshirave, Krasikov-in.

Autoritetet gjermane fillimisht nuk kanë qenë të gatshme të lironin një vrasës të dënuar, për të cilin gjykata gjermane konkludoi se kishte vepruar në emër të autoriteteve ruse. Ky ngurrim u zbut teksa marrëveshja merrte formë.

Por pse ishte e nevojshme për Kremlinin që të shpëtonte Vadim Krasikov dhe ta sillte në shtëpi. Një të dhënë na e japin mediat ruse.

“Po kthejmë në shtëpi djemtë tanë”, është titulli kryesor i gazetës qeveritare Rossiyskaya Gazeta.

“Ne nuk i braktisim tanët”, shkruan tabloidi pro-Putin, Komsomolskaya Pravda

Ky është saktësisht mesazhi që Kremlini do që t’i dërgojë agjentëve dhe spiunëve. Nëse ju dërgojmë në një mision jashtë vendit dhe gjërat shkojnë keq, do ta gjejmë një mënyrë që t’ju kthejmë në shtëpi./tvklan.al