Presidenti rus Vladimir Putin ka zhvendosur nga Soçi në Moskë konferencën e tij kryesore për politikën e jashtme, për shkak të shqetësimeve të sigurisë që lidhen me intensifikimin e sulmeve me dronë nga Ukraina. Lajmi është bërë i ditur nga katër persona të informuar mbi çështjen, sipas Financial Times.

Ndryshimi i vendndodhjes në momentin e fundit për takimin vjetor të Valdai Discussion Club, një aktivitet katër ditor që zhvillohet zakonisht jashtë kryeqytetit rus, është një tjetër tregues i kërcënimeve në rritje nga sulmet me rreze të gjatë të Ukrainës, më shumë se katër vjet pas nisjes së luftës.

Rreth 120 pjesëmarrësit e konferencës u informuan muajin e kaluar për ndryshimin e vendndodhjes. Fillimisht, ata kishin marrë ftesa për të marrë pjesë në Soçi, qytetin turistik në brigjet e Detit të Zi, ku Putin ka edhe një rezidencë.

Sipas dy prej burimeve, vendimi për zhvendosjen e konferencës u mor me insistimin e shërbimit të sigurisë presidenciale të Putinit.

Sipas medias ruse Agentstvo, të cituar nga Financial Times, gjatë verës Ukraina ka goditur rafineri nafte pranë Soçit dhe në zona të tjera turistike përgjatë bregdetit të Detit të Zi. Sulmet kanë shkaktuar të paktën 19 viktima dhe 188 të plagosur që nga fillimi i sezonit turistik në muajin maj.

Putin nuk ka udhëtuar drejt Soçit që prej konferencës së Valdai Club të vitit të kaluar, e cila u zhvillua në fillim të tetorit. Gjatë dy viteve të fundit, ai e ka vizituar zonën vetëm dy herë në vit.

Në vitin 2021, vitin e fundit përpara se të urdhëronte pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, Putin e vizitoi Soçin 24 herë.

/tvklan.al