Kryeministri Edi Rama e konsideroi sot, 15 mars, të mbyllur çështjen ndaj deputetes Belinda Balluku. Ai u shpreh se Kuvendi e trajtoi me përgjegjësi rastin dhe nuk e autorizoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, të cilën e përshkroi si vazhdë të një kuturisje.
“Çështja e deputetes Belinda Balluku, sipas meje, sipas nesh, është një çështje e mbyllur. Kuvendi u shpreh pasi trajtoi me shumë përgjegjësi dhe me kujdesin më të madh të gjithë çka iu vu në dispozicion dhe nuk e autorizoi kërkesën me vlerësimin se kërkesa është në vazhdën e një kuturisjeje, e cila nuk mund të vazhdojë pafundësisht, ku njerëzit trajtohen si të ishin mjete në dispozicion të luftës kundër korrupsionit, edhe kur nuk bëhet fjalë për korrupsion, edhe kur nuk bëhet fjalë për përvetësime për interesa personale, edhe kur nuk bëhet fjalë për ndonjë arsye që mund të pengojë zhvillimin e hetimeve dhe merren edhe futen brenda, duke praktikisht e kthyer Shqipërinë në delen e zezë të Këshillit të Europës, të të gjitha vendeve të Këshillit të Euopës, jo të Bashkimit Europian, si vendin me më shumë të paraburgosur, pra të kyçur brenda pa gjyq, sesa të burgosur, pra të gjykuar dhe të dënuar”, tha Rama.
Kryeministri argumentoi se mosdhënia e autorizimit për arrest nuk e pengon prokurorinë të vijojë hetimin apo të kërkojë masa të tjera. Sa i përket Ballukut ai u shpreh se ajo nuk ka më funksione ekzekutive. Për këtë aryse, ai u shpreh se masa e sigurimit me arrestim duhet të jetë mjeti i fundit.
“Në këtë rast, siç dihet botërisht, kemi të bëjmë me një çështje ku prokurori ka ngritur me të drejtën e vet dyshimin dhe ka nisur hetimin dhe pastaj ka ngritur akuzën për shkelje të barazisë në tendera rreth gjashtë vite më parë dhe nga ana tjetër nuk ka akuzë për korrupsion, nuk ka akuzë për përvetësim fondesh, nuk ka asnjë skenë flagrance, asnjë provë që të çon në këtë drejtim. Dhe Kodi i Procedurës Penale është shumë i qartë: Mosdhënia e autorizimit për arrest nuk e pengon prokurorinë të vijojë hetimin apo të kërkojë masa tjera. Pra, hetimi vazhdon dhe drejtësia nuk pengohet. Nga ana tjetër, deputetja nuk ushtron më asnjë funksion ekzekutiv. E gjithë kërkesa ishte aty, kur ajo e ushtronte funksionin ekzekutiv dhe pavarësisht se ajo nuk është më në detyrë, prokuroria vazhdoi të kërkojë të njëjtën gjë, duke harruar se faktikisht nuk kishte asgjë të re që kishte ndodhur, përveç faktit që deputetja ishte thjesht një deputete dhe që nuk ka më asnjë kapacitet të ndikojë në asgjë për sa i përket hetimeve”, tha Rama.
Ironizoi edhe opozitën duke u shprehur se vunë kujën për integrimin teksa më herët patën predikuar që anëtarësimi ishte larg.
“Këta janë në rastin më të mirë qesharakë, në rastin më të keq janë, jo vetëm injorantë, por janë dhe shumë të ligj. Por, unë ju siguroj që asnjë mënyrë që rruga jonë drejt anëtarësimit nuk është bllokuar dhe nuk do bllokohet për këtë shkak”, tha Rama.
Ai u shpreh se me disa partnerë ka pasur një diskutim konstruktiv, pasi ata kanë një qasje tjetër ndaj imunitetit në vendet e tyre.
“Në vendet e tyre nuk fillon dot asnjë hetim pa marrë një herë autorizimin e parlamentit. Ne nuk kemi imunitet të kësaj natyre në Shqipëri. Ne kemi vetëm garanci për mbrojtjen e lirisë së deputeteve dhe kaq”, tha Rama.
Rritja e çmimeve të naftës, Rama: E pashmangshme për shkak të luftës, po ndodh në të gjithë botën
Kryeministri Edi Rama u ndal edhe te rritja e çmimit të karburantit për shkak të luftës në Iran. Ai u shpreh se kjo rritje është e pashmangshme dhe se po ndodh në të gjithë botën.
“Kjo është një rritje e pashmangshme në të gjitha tregjet botërore dhe po ndodh në të gjithë botën pikërisht si pasojë e këputjes së zinxhirit të vlerës që qarkullon në shkëmbimet tregtare në një pikë strategjike siç është ngushtica e Hormuzit”, tha Rama.
Ai bëri me dije se Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave kanë ngritur një task forcë të përbashkët për rritjen e kontrolleve dhe parandalimin e çdo rritjeje abuzive. Ai u shpreh se zinxhiri i tregtimit të karburanteve do të jetë në monitorim të vazhdueshëm.
“Besoj shumë se ky do të jetë një moment kthese për të përmbushur edhe një tjetër ambicie dhe zotim të marrë menjëherë me nisjen e mandatit të katërt, që nafta që tregtohet në Shqipëri, të jetë një produkt në një nivel të pandikuar kaq fort nga luhatjet në tregjet ndërkombëtare dhe kjo është plotësisht e mundur. Paralelisht, Ministrja e Ekonomisë ka ngritur një task forcë të përbashkët me Ministrin e Financave, duke vënë në veprim administratën tatimore dhe doganore, nga njëra anë, me qëllim rritjen e kontrollit në tregun e hidrokarbureve dhe parandalimin e çdo rritje abuzive të çmimeve të karburanteve dhe nga ana tjetër për të studiuar me shpejtësi edhe një ndikim mbi fenomenin abuziv të rritjes së çmimit të ushqimeve. Ky grup propocional do të fokusohet me një plan të detajuar në gjithë zinxhirin e tregtimit të karburanteve, si në shumicë, ashtu dhe në pakicë, ndërsa çmimet do jenë nën monitorim të vazhdueshëm nga institucionet përkatëse. Po ashtu, projektligji për rezervat strategjike të naftës është tashmë në konsultim publik. Përkon me këtë situatë, por është një nismë e ndërmarrë kohë përpara krijimit të kësaj situate. Parashikon një krijim rezervash që shtrihet nga një në tre muaj, të naftës, por e thashë dhe më parë, ambicia jonë shkon përtej kësaj dhe besoj se në pak muaj, qytetarët do të mund të prekin fillimin e një ndryshimi të shumëpritur në tregun e karburanteve”, tha Rama.
Porti i ri i Durrësit, Rama: Gati të kalojmë në një plan tjetër të shpejtë dhe agresiv
Kryeministri Rama komentoi edhe dështimin e tenderit për portin e Porto Romanos. Ai theksoi se qeveria ka të drejtën dhe detyrën të riorganizojë rrjetin portual të vendit, të ndryshojë funksionin urban të zonës së Durrësit dhe të shpëtojë qytetin e dytë më të madh të vendit nga gangrena e portit të vjetër. Sipas tij, porti i ri është projekt strategjik.
“Ideja e transferimit të portit tregtar në Porto Romano dhe e transformimit të portit aktual të Durrësit për funksionin e ri të një motorri të fuqishëm të industrisë së re të turizmit është absolutisht zgjidhja më logjike e pamundur në kohëra të mëparshme për shkak të Shqipërisë që ishte dhe plotësisht e domosdoshme për Shqipërinë tjetër që ne po ndërtojmë dita-ditës. Porti i ri në Porto Romano nuk është thjesht një projekt infrastrukturor. E përsëris, është një projekt strategjik rajonal dhe europian i lidhur me funksionimin vital të Korridorit 8 dhe me nyje të tjera logjistike, ku përfshihen edhe portet e thata të Prishtinës dhe të Shkupit”, tha Rama.
Ai mohoi të ketë pasur shqetësime nga aleatët kryesorë të vendit në lidhje me projektin. Sipas Ramës, portin nuk e mikpresin të gjithë për faktorë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit. Ai premtoi se qeveria do të kalojë në një plan tjetër të shpejtë dhe agresiv për të garantuar fillimin e ndërtimit të portit.
“Përkundrazi projekti i hartuar nga kompania më e madhe në botë, me reputacion të padiskutueshëm, Royal Haskoning është në tryezën e NATO-s. Ka kaluar të gjithë filtrat teknik dhe tani pret të hyjë bashkë me grupin e disa projekteve të tjera të mëdha, në filtrin politik pikërisht sepse është një projekt me një vlerë të konsiderueshme gjeopolitike, por natyrisht, e kam thënë dhe e përsëris këtë port të ri jo të gjithë e duan, jo të gjithë e mirëpresin. Faktorë brenda dhe jashtë, duke filluar nga faktorët e nëndheshëm të atyre që lidhen me trafiqet deri tek faktorë politikë dhe faktorë të tretë jashtë kufijve të Shqipërisë, s’kanë se si ta mirëpresin pasi në rastin më të mire, kjo është një fuqi e re që hyn në konkurrencën tregtare, detare të Mesdheut dhe në rastin më të ndjeshëm, ky është një faktor që merr pjesë nga, le të themi sofra, ku shpërndahet përfitimi i gjithë aktivitetit detar, tregtar në këtë pjesë të botës ku ne jetojmë. Një port i ri i këtyre përmasave, me këtë ambicie, e çon Shqipërinë në një nivel tjetër në hartën logjistike të rajonit dhe e kthen në një vend që zotëron edhe një nyje strategjike të transportit në mes të Europës, si pikë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit. Më e qartë se kaq unë nuk e di si mund të jetë. Dhe në fund dua të them që, pavarësisht vështirësive që ka hasur projekti, pavarësisht të dy proceseve të papërfunduara në sekondën e fundit, pavarësisht tërheqjes së kompanisë që ishte shumë pranë lidhjes së kontratës dhe pritej vetëm të paraqiste ofertën financiare, por që u shpreh se në kushtet e krizës dhe të rritjes së çmimeve nuk e shikonte të mundur të jepte një ofertë financiare, ne jemi gati të kalojmë në një plan tjetër të shpejtë dhe agresiv për të garantuar fillimin e ndërtimit të portit për të cilin kemi vënë dispozicion edhe të gjithë buxhetin e nevojshëm”, tha Rama.
Rama: Vendimi i GJK për TikTok-un, si kofini pas të vjelave
Rama komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për TikTok-un, duke u shprehur se ishte i panevojshëm pasi nuk kishte më konflikt dhe se ccfarë diskutohej. Ndërkohë ai u shpreh se qeveria së bashku me kompaninë ka marrë një sërë masash.
“Tani vendimet e gjykatave natyrisht janë për t’u zbatuar, por unë nuk mendoj se vendimet e gjykatave janë në të gjitha rastet edhe për të mos u komentuar sepse them se është mirë edhe për trupën e prokurorit dhe të gjykatësve të Shqipërisë, që të përballen me opinionin e kritikës gjithmonë konstruktive për të përmirësuar dhe ata punën e tyre, pasi të trajtuarit e tyre si “lule mos më prek” edhe pasi kanë përfunduar proceset, nuk ndihmon në përmirësimin e cilësisë së drejtësisë. Dhe faktikisht, ne kemi sot në zotërim, falë atij bllokimi filtra algoritmik apo të verifikimit të moshës, kemi një sërë masash që lidhen me gjuhën e dhunës, me vetë gjuhën shqipe që s’ishte fare në radarin e TikTok-ut deri në atë kohë dhe kemi realisht një bashkëpunim konstruktiv me platformën, kështu që ndalimi i përkohshëm solli pikërisht të gjitha këto rezultate.
Një kompani shumë miliardëshe erdhi në tryezë bisedimesh me një shtet të vogël, i cili në të gjithë vlerën e vet është nën vlerën e kompanisë dhe nuk është i vetmi shtet. Këto kompani janë më të mëdha se shumë shtete të marra së bashku për nga kapitali, vlera e kapitalit që ato kanë në zotërim.
Dhe këtu hyn Gjykata Kushtetuese, si kofini pas të vjelit dhe nuk merr parasysh detyrimin kushtetues që Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton qartë se fëmijët kanë drejtën e një mbrojtje të veçantë nga shteti dhe se duhet të mbrohen nga çdo praktikë që mund të dëmtojë shëndetin dhe zhvillimin e tyre dhe nuk merr parasysh as faktin që bllokimi i TikTok-ut nga ana jonë, jo vetëm që nuk u kundërshtua apo nuk u vu në dyshim nga institucionet ndërkombëtare, duke filluar nga Bashkimi Europian, por përkundrazi u komentua pozitivisht në një sërë platformash mediatike të shumë e shumë shteteve në Europë dhe përtej saj, në një periudhë kur shumë vende po përpiqen të marrin masa të tilla dhe kur faktet tregojnë se algoritmet e këtyre platformave mund të prodhojnë efekte të dëmshme tek fëmijët, nga ankthi, deri tek sjelljet vetëlënduese apo tek shfaqjet brutale të dhunës që mund të çojë largqoftë deri në humbjen apo marrjen e jetës së tjetrit, atëherë mosveprimi i shtetit nuk është neutralitet dhe në këtë kontekst, e ashtuquajtura liri e fjalës, me të cilën abuzohet kaq shumë, nuk ka absolutisht as edhe një lidhje. Gjithsesi, Gjykata Kushtetuese e ka marrë vendimin e vet. Një vendim i panevojshëm, në rastin më të mirë, sepse nuk kishte më konflikt dhe nuk kishte më se çfarë të diskutohej dhe ndërkohë, ne kemi bërë punën tonë dhe kemi marrë atë që prisnim të merrnim nga bllokimi i TikTokut”, tha Rama.
/tvklan.al












Botërori 2026 
