Fjalimi i plotë
“Kthesa quhet Besa”, Rama: Na duhen qytetarë që na matin me “sy hapur”
Videoja e nënës File dhe djalit autik, Rama: E lanë në fatin e saj pasi e përdorën
Duke u ndalur te videoja virale e një nëne me fëmijën e saj autik, të cilët u prekën nga gazi lotsjellës i hedhur nga Policia gjatë protestës pranë Parlamentit, kryeministri Edi Rama akuzoi organizatorët e protestës se e përdorën rastin për përfitime politike.
“E kishin marrë me vete për ta kthyer në viktimë të policisë, e cila ishte aty për të mbrojtur deputetët nga dhuna. Ne sapo e kemi dyfishuar mbështetjen për fëmijët autikë dhe kemi rritur mbështetjen për nënat e tyre. Ky është fakti ynë. Por përjetimi i asaj nëne është krejt tjetër. Ajo mund të mos jetë fare e informuar për këtë mbështetje, por nuk e ka ndjerë kurrë empatinë tonë.
Pikërisht aty, në fund të këtij hendeku, hynë sorrat dhe korbat me solidaritetin e tyre hipokrit. E morën me vete te Parlamenti për ta përdorur bashkë me fëmijën autik. Me të njëjtin manual si terroristët, duke i përdorur si mburojë ndërsa sulmonin Policinë e Shtetit me maska. Më pas e vunë para kamerave, e shfrytëzuan dhe e nxorën në publik për t’i qarë hallin. Lotët e saj i kthyen në breshër në rrjetet sociale përmes algoritmit, pastaj e lanë në fatin e saj dhe u nisën drejt mikrofonit në bulevard. Si ata skuthat që çojnë të tjerët mish për top dhe më pas kërkojnë solidaritet”, tha Rama.
Rama: Vjehrri më i famshëm në botë (Trump) u bë magneti. Zemra e protestës shtegtoi bashkë me flamingot
Në fjalimin e tij ‘reflektues’ për protestën në kryeqytet, Rama tha se përfshirja e emrit të ‘vjehrrit më të famshëm në botë’, Donald Trump, i dha protestës një vëmendje globale mediatik.
Sipas tij, ndonëse shkaku i pakënaqësisë ishte lokal dhe zemra e revoltës ishte te qytetarët e thjeshtë, kauza u rrëmbye nga figura malinje që nxitën ndasi e frymë antisemite.
Ai nënvizoi se me largimin e vëmendjes ndërkombëtare, vetë bërthama e kësaj proteste “shtegtoi bashkë me flamingot”.
“Në qendër të projektit ishte dhëndri dhe bija e tij. Pa atë emër, (Trump) protesta do të ishte një çështje shqiptare jashtë mediat ndërkombëtare, por në sajë të atij emri u bë një çështje ndërkombëtare. Ky është fakt i kohës, së kanaleve sociale, Zvërencei dha videon revoltuese, flamingo dha simbolin magjepsës, hija e vjehrrit më të famshëm në botë dha magneti global, edhe algoritmi i yshtur bëri punën tjetër.
Zelli i kundërshtarëve të gjithë andejshëm për të luftuar me vjehrrin e madh, e ktheu në qendër bulevardin. Shkaku i hendekut ishim ne dhe zemra e protestës ishin njerëzit e thjeshtë të këtij vendi. Kurse të tjerë kishin nevojë për plagën, por nuk e krijuan ata protestën, e rrëmbyen. Tani fillojnë që të kruajnë plagën, sepse zemra e protestës iku, shtegtoi bashkë me flamingot.
Ata janë veteranë të verbër të atdheut. Por çfarë interesi kanë ustallarët malinjë për Shqipërinë?! Zero, vetëm kaosin dhe rrënimin e besimit, që shqiptarët të mos i besojnë askujt. Fakti që për herë të parë Shqipëria përjetoi shijen e keqe të ndasisë fetare dhe etnike, që u manifestuan në rrugët e protestës ishte shënjestër e tyre. Edhe urrejtja ndaj kombit hebre, në një frymë antisemite, që deri dje ishte e panjohur, duke shkulur edhe flamurin izraelit, ishte një ndërhyrje nga palë të treta“, tha Rama.
Duke theksuar se protesta ka krijuar një hendek, u kërkoi socialistëve të fokusohen te përjetimi i njerëzve të zakonshëm. “Atë hendek e ka hapur rënia e besimit se pritshmëritë e tyre do realizohen. Kur besimi ka rënë edhe fakti më kokëfortë duket si gënjeshtër dhe gënjeshtra më e madhe duket si e vërtetë.”
“Ne kishim faktet, njerëzit përjetimin”
“Ne e nxorrëm Shqipërinë nga Epoka e Mungesave, ne dhe asnjë tjetër”, tha me bindje numri një i kabinetit, duke shtuar se populli po kërkon llogari më shumë se sa ka pritshmëri.
“Ka të drejtë, pikë, ka të drejtë! Kush përpiqet ta relativizojë përmasën, do të zvogëlohet, madje madje sa më i fortë të jesh përballë kësaj të drejte, aq më në rrezik je. Qofsh vetë Partia Socialiste, apo qofsh Edi Rama vetë. Tre mandate me radhë ne folëm me fakte, faktet janë dhe do mbeten aty, kokëfortësisht dëshmitare për ne, nga një shtet që prodhonte lajme vetëm për keq dhe me një emër të përbuzur ndëkombëtarisht, në një shtet me një flamur ndërkombëtarisht të respektuar. Kjo është histori! Në pasqyrën e bulevardit të flamingove pashë një të vërtetë tronditëse: Ne kishim faktet, njerëzit kishin përjetimin!”, tha ai.
“Bulevardi ku vriteshin njerëz me plumba, u kthye shesh i protestës për një zog dhe lagunë”
Kreu i qeverisë ka mbajtur fjalimin e paralajmëruar të “reflektimit”, ku theksoi se rritja e pritshmërive të qytetarëve kërkon ndryshim dhe reagim më të shpejtë nga institucionet. Gjatë fjalës së tij, ai nënvizoi transformimin e thellë shoqëror që ka pësuar vendi vitet e fundit.
Sipas tij, simbol i këtij ndryshimi është vetë bulevardi, i cili nga një vend ku dikur vriteshin protestues, sot është kthyer në sheshin e një proteste qytetare për mbrojtjen e një zogu dhe të një lagune.
Kryeministri e cilësoi këtë reagim publik si dëshmi të rritjes së ndjeshmërisë ndaj natyrës dhe standardeve evropiane në vend.
“Del e tepron që toleranca e tyre të jetë zero. Nuk e di a e dëgjuat, kur tregova një ditë rastin e të ëmës së një shokut tim. Edhe ajo doli në protestë. Gjithçka mund t’i numërojmë asaj për punët e panumërta që kemi bërë, janë fakt, por fakti i saj është përvoja e asaj radhe në poliklinikë, kur dielli nuk ka dalë akoma.
Duhet të ndryshojmë ne, që zëri i saj të dëgjohet dhe halli i saj të qahet. Përndryshe, të gjitha ndryshimet që kemi bërë për drejtësinë do të mbeten atje, vetëm si fakt i pamohueshëm. Kur fryma e përparimit bëhet e qëndrueshme dhe pritshmëritë e qytetarëve rriten, asnjë sukses nuk e ul kërkesën, vetëm e rrit. 50 mijë vrasës, që hynin me çifte pyll më pyll e lagunë më lagunë, sikur Shqipëria të ishte një rezervatë. Mazallah se ngrihej ndonjë zë, që të dëgjohej.
Në një vend, ku vritej statistikisht një njeri në çdo tre ditë, nuk kishte pritshmëri se si të flitej për kafshët. Brenda kësaj dekade shtuam kategoritë e mbrojtjes dhe e kthyem mbrojtjen e natyrës në një sistem. Ato ndryshime janë bërë në përputhje me direktivën europiane. Në kohën e koreve shurdhuese të sharave elektrike dhe çifteve, në atë kohë kur protestuesit vriteshin në bulevard, askush nuk e kishte menduar se në atë bulevard do të shtrihej një protestë. Askush nuk e kishte përfytyruar atë ditë dhe se ajo ditë do të vinte aq shpejt. U bë vendi i një proteste popullore, që mori shkak një zog dhe një lagunë“, tha Rama.
“Më kujtohet se kur njerëzit e mbështesnin edhe me dorën e majtë dhe të djathtë reformën në drejtësi, prapë se prapë pyetjes së nëse besonin se do shihni zyrtarë të lartë para drejtësisë, i përgjigjeshin masivisht “Jo”. Monumenti i pandëshkueshmërisë ra, ashtu siç nuk mund të imagjinohej, por ky fakt nuk mjafton, madje del e tepron se ata janë të pakënaqur pse nuk bëhet më shumë. Për 30 vjet shqiptarët qëndruan në radhë kilometrike për të marrë shërbimet më elementare”, shtoi më tej kryeministri i vendit, duke theksuar se tanimë ka ardhur “epoka e pritshmërive”.
“Zemrat dhe mendjet e shqiptarëve kanë ndryshuar”
Kreu i qeverisë po mban aktualisht, atë që e quan fjalimi i reflektimit
“Mësimi i parë që dua të ndaj me ju është se faktet tona nuk mjaftojnë…Në Shqipërinë që transformuam, njerëzit nuk jetojnë me inkurajimin e gjërave që ndërtohen, kur prisnin me besim që pas rrugës e shkollës që u ndërtua në lagjen tjetër, t’i vinte radha lagjes së tyre. Ata kanë pritshmëri që rriten më shpejt se sa përgjigja jonë ndaj tyre”, tha ai referuar protestës qytetare që është mbajtur në kryeqytet prej më shumë se 50 ditësh, kryesisht kundër projektit në Zvërnec.
“Shokë dhe shoqe nuk mjafton më ta qeverisim të tashmen me investime, por në harmoni me përvojën e përditshme të qytetarit të sotëm”, ishte apeli i tij për socialistët.
“Zemrat dhe mendjet e shqiptarëve nuk janë më aty ku ishin deri dje, te çfarë ndryshon në territor dhe nuk kanë më fare lidhje me statistikat ekonomike”, shtoi më tej.
Sipas tij, bulevardi i flamingove, duhet parë si një “pasqyrë”.
“Dua t’ua them drejt e në sy atyre që protestuan, atyre që dolën në bulevard gjatë qershorit dhe atyre që kanë protestuar në heshtje apo me zë, kudo në Shqipëri apo jashtë, qysh pas zgjedhjeve të qershorit të kaluar: Ju nuk jeni mosmirënjohës, jeni matësi i ri i standardeve tona”, ishte mesazhi i kreut të qeverisë.












Botërori 2026 
