Për shkak se ndodhej në SHBA kur drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit u vendos nën arrest shtëpie nga Gjykata e Posaçme, sapo vuri këmbën në tokën shqiptare, kryeministri bëri një deklaratë të paralajmëruar në aeroportin e Rinasit.
Për shkak të peshës që mban për sigurinë e vendit SHISH, vetë kryeministri e vlerëson si masë ekstreme izolimin e Vlora Hysenit, ndërsa thotë se nuk do të hyjë në detajet e dosjes hetimore.
“Ishte padiskutim një masë ekstreme, po të mbajmë parasysh se bëhet fjalë për ekspozimin e një institucioni shumë kyç të shtetit. Po unë nuk kam as të drejtën dhe as qëllimin të hyj në përmbajtjen e dosjes, në vlerësimin e provave apo në arsyet që e kanë çuar prokurorinë ta kërkojë dhe gjykatën ta vendosë atë masë. Nuk e kam bërë në asnjë rast më parë dhe nuk do ta bëj as në këtë rast. Çdo dyshim i arsyeshëm, për këdoqoftë, duhet të hetohet deri në fund.
Çdo akuzë e ngritur, ndaj kujtdo qoftë, duhet të provohet ose të rrëzohet përmes një procesi të pavarur, të paanshëm dhe të rregullt gjyqësor. Çdo masë kufizimi e lirisë nga organi i akuzës, për cilindo qoftë që nuk ka imunitet parlamentar, kundërshtohet vetëm në gjykatë, jo në podiumin e Kryeministrit, as në foltoret e politikës.”
Por, thënë këtë, kryeministri deklaroi se kjo nuk e privon të mos flasë për të gjithë dëmin që iu bë sigurisë kombëtare, që, sipas tij, ka lënë të befasuar edhe partnerët që të nxirreshin nga organi i akuzës në publik detaje që kanë lidhje me një institucion si Shërbimi Informativ Shtetëror.
“Respekti për pavarësinë e drejtësisë nuk do të thotë heshtje edhe kur një shqetësim parimor shfaqet gjatë veprimtarisë së organeve të saj. Konkretisht, në këtë rast, përveç dhe përtej çështjes penale individuale, ka një fakt tjetër parimor, shtetëror, që s’mund të anashkalohet sikur nuk ka ndodhur.
Gjatë marrjes së masës dhe administrimit gjyqësor të dosjes, një institucion me ndjeshmëri të veçantë për sigurinë dhe reputacionin e shtetit u ekspozua. U ekspozua ndaj potencialit të një dëmi të madh, i cili mund dhe duhej të ishte parandaluar plotësisht.
U desh që të dhëna të dosjes hetimore të vërshonin nëpër kanale sociale e tezga mediatike, përpara se gjykata të urdhëronte, si kofini pas të vjelit, kufizimin e publikimit të tyre. Natyrisht, pa asnjë sukses.
Kur puna e sjell që hetimi të ngjitet tek kreu i shërbimit inteligjent të vendit, atëherë ky nuk është më problemi i një pushteti të pavarur. Ky është një problem i krejt shtetit dhe prandaj edhe kjo qasje e lëshuar, si pa duar, i ka lënë pa fjalë edhe të gjithë partnerët tanë.”
Duke qenë se kjo nuk është hera e parë që ndodh, Rama paralajmëron se do të diskutohet në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për marrjen e masave për frenimin e këtij fenomeni të përsëritur.
“Mbrojtja e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe jo vetëm, nga çdo dëm i panevojshëm kolateral, është detyrë e të gjithë shtetit. As kjo nuk duhet të hajë asnjë diskutim.
Ndarja e pushteteve nuk mund të shfaqet kurrsesi si ndarje nga përgjegjësia shtetërore. E këtu rivijmë në fakt tek një pikë që e kemi hasur edhe më parë, prandaj ka ardhur koha ta trajtojmë bashkërisht dhe seriozisht.
Besoj se Këshilli i Sigurisë, thirrur nesër nga Presidenti i Republikës, është vendi i duhur për të reflektuar mbi përgjegjësitë institucionale dhe diskutuar mbi garancitë që duhet t’i mbrojnë institucionet tona, e mbi të gjitha ato të sigurisë kombëtare, kur drejtuesit apo punonjësit e tyre rrëshqasin nga binarët e bëhen subjekt i një hetimi penal.”
Kryeministri shpjegon përzgjedhjen e Vlora Hysenit si drejtore të SHISH-it dhe hedh poshtë aludimet e artikuluara në media.
“Siç e thashë kur doli masa e arrestit, unë e kam vlerësuar punën e Vlora Hysenit në drejtimin e Shërbimit Informativ. Po njësoj, vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë për punën e saj kanë qenë vijimësisht shumë pozitive.
Fillimisht ka nisur të punojë pranë meje, në rolin e këshilltares që mbulonte marrëdhëniet me institucionet e sigurisë.
Pas një periudhe jo të shkurtër në atë rol, si edhe bazuar mbi referencat e shkëlqyera të marra nga shërbimet partnere, nënvizoj, e shkëlqyera, ajo është emëruar drejtuese e Shërbimit.
As nuk vihet sot në diskutim se ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ ka hapur një llogari shumë të vështirë me drejtësinë, përveçse ka hyrë në një borxh të madh moral me këtë vend, ku mori besim të pakursyer.”
Ndërsa ndalet gjatë tek linçimi mediatik, politik e publik që i bëhet çdo të akuzuari, një padrejtësi që ushqehet, sipas tij, nga njerëzit që duhet të bëjnë drejtësi, flet po kaq gjatë për t’iu përgjigjur të gjithë atyre që e shohin të lidhur përgjegjësinë individuale të çdo të zgjedhuri dhe të emëruari, kur shkelin ligjin, me kryeministrin që i ka emëruar.
“Po si mund të mos e dija; po si mundet që të mos jem i përzier unë vetë; po si mund të them prapë se m’i hëngrën dardhat pas shpinës; po si, si, si…” Sepse, sipas atij avazi, kryefajtori i çdo rasti jam pikërisht unë, që e desha kur askush nuk e besonte si të mundshme, e udhëhoqa kur shumëkush e donte të vdekur dhe e mbroj si askush tjetër Reformën në Drejtësi.
Por ja që një kryeministër nuk gjykohet dot me pretendimin absurd që asnjë njeri i lidhur me të nuk do ta shkelë kurrë ligjin, sepse përndryshe shkelësi është ai vetë.
Kryeministri dhe krejt shumica qeverisëse gjykohen nga qëndrimi që mbajnë dhe veprimi që bëjnë, kur hapet llogaria e drejtësisë për dikë mes tyre apo pranë tyre.
A e justifikojnë? A e mbrojnë? A i kundërvihen drejtësisë apo e lënë drejtësinë të bëjë punën e saj dhe individin të mbajë përgjegjësinë e vet?
Po, është: si mund ta dijë kryeministri që vartësi i tij po mendon ta shkelë ligjin apo po vepron fshehtazi në shkelje të ligjit? Kryeministri as nuk e ka të mundur të parashikojë sjelljen e çdo individi përballë tundimeve të pushtetit, as e ka të lejuar të përgjojë bashkëpunëtorët e vet se çfarë bëjnë nën rrogoz dhe as e ka të mundur të lexojë mendjen e dikujt kur ajo fillon të kurdiset për të punuar së prapthi.”
Në 28 vite në politikë, Ramës i janë përsëritur si refren akuzat për korrupsion dhe ndër vite, si përgjigje, ka sfiduar këdo që e akuzon të nxjerrë prova, edhe pse forma që kishte zgjedhur për ta artikuluar kësaj here këtë sfidë ishte më e zbutur.
“Një provë të vetme, që një bir nëne ta ketë një qindarkë të tijën në xhepin tim apo në të ardhurat e familjes sonë, dhënë në këmbim të një firme të vetme të hedhur nga unë si kryebashkiak apo si kryeministër, nuk e nxjerrin dot kurrë. Sepse nuk ka lindur akoma ai lloj fenomeni.
Sinqerisht, me siguri unë i kam fajet e mia dhe në 28 vitet e 4 muajt e shërbimit tim publik, mund të kem bërë madje shumë më tepër gabime sesa ato jo pak që unë i di vetes.
Por kurrë, asnjëherë, paraja, pronat apo favoret e çfarëdo lloji kundër ligjit, nuk e kanë përkulur dot bindjen time se në këtë rrugë, unë jam për të dhënë, jo për të marrë. Jam për të lënë emrin, jo për të fryrë xhepin. Jam për të bërë histori, jo për të bërë pasuri. Jam për të transformuar Shqipërinë, jo deformuar vetveten.
E pikërisht për historinë, për emrin, për Shqipërinë, unë e dua këtë vend me kokën lart, me flamurin sa më lart, të barabartë mes të barabartësh, në tryezat më të larta.
E dua në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade, me shtet ligjor e me drejtësi të pavarur prej meje dhe prej çdo qeverie e kryeministri pas meje.
Prandaj sot, kur më ka ndalur në këtë sallë, me të zbritur pikërisht tema e drejtësisë dhe kur të gjithë kundërshtarët e mi, që nga ata të përdalët e rrugëve opozitare e deri te dështakzemërakët e ish-rrugëve qeveritare, kujtojnë se kanë shpikur “bombën çudibërëse” që do hedhë përtokë Ramën, “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni”, dua të jem shumë i qartë me ju të gjithë:
Le ta hedhin atë bombë mëngjes, drekë dhe darkë në ekranet televizive e le ta shpërthejnë orë e çast në pasqyrat sociale, a thua se përsëritja si në jerm e një fjale të ndyrë me zë të lartë, do të mund ta zhbëjë pastërtinë e luftës sime të gjithanshme, e cila duan s’duan ata që s’duan, i riktheu këtij vendi kryeqytetin e varrosur nën plehra dhe prej një dekade po transformon Shqipërinë dhe ringre shtetin shqiptar.”
Pasi rreshtoi të gjitha ato që i cilëson zullumet e qeverisjes Berisha, Rama e mbylli adresimin e tij 30-minutësh me faktin që përsëritur gjithmonë: se drejtësia që po lufton sot njerëzit e tij erdhi vetëm, siç thotë, falë vullnetit të tij personal dhe maxhorancës së tij, pavarësisht mbështetjes së ndërkombëtarëve.
“Pavarësia e drejtësisë nuk ra nga qielli. Nuk e solli koha. As Amerika apo Europa. Ata ndihmuan, po, madje shumë, por pa mua dhe Partinë Socialiste ata do të kishin bërë të njëjtin Noc Rrok që bënë me qeveritë e mëparshme, deri ditën kur ne i hymë atij deti në këmbë – apo që po bëjnë me disa qeveri të tjera rrotull në rajon.
Sot unë jam kthyer në Shqipëri, po Shqipëria nuk kthehet pas.
Askush dhe asgjë nuk do ta ndalë, nuk do të na ndalë, nuk do të më ndalë.”
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 