Kryeministri Edi Rama ndodhet në Mynih në kuadër të Samitit për Sigurinë Globale dhe gjatë kësaj kohe ka zhvilluar një vizitë edhe në zyrat e Tik Tok ku ka takuar zv. Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë Theo Bertram.
Në një postim në rrjetin social “Facebook” Rama shprehet se kanë diskutuar për ngjarjet e fundit në Shqipëri dhe nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online.
Ndër të tjera kreu i shtetit shprehet se është njohur edhe me masat që po merren nga kompania për të rritur nivelin e moderimit të mesazheve në gjuhën shqipe.
“Mynih – Në zyrat e Tik Tok me zv. Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë Theo Bertram, ku diskutuam me mirëkuptim të plotë për ngjarjet e fundit në Shqipëri dhe nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online, si edhe u njohëm me masat që po merren nga kompania për të rritur nivelin e moderimit të mesazheve në gjuhën shqipe. Ishte kënaqësi informimi mbi nivelin e lartë të vetëdijes së kolosit social Tik Tok, për rreziqet që i kanosen rrjeteve sociale dhe të investimeve të kompanisë në përballimin dhe shmangien e tyre”, shkruan kryeministri Rama në postimin e tij.
/tvklan.al