10 nëntor 2026- Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka deklaruar se Shqipëria ndodhet në fazën e fundit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërsa synimi është që ato të përmbyllen në fund të vitit të ardhshëm.
Gjatë qëndrimit në Paris, ku po merr pjesë në “Forumin e Paqes”, Rama u shpreh se, bazuar në progres-raportin e Komisionit Evropian, viti 2027 pritet të shënojë nisjen e punës për hartimin e traktatit të anëtarësimit.
Kreu i qeverisë theksoi se nuk mund të japë garanci për afatet që nuk varen drejtpërdrejt prej Shqipërisë, pasi procesi ndikohet edhe nga zhvillimet politike brenda vendeve anëtare të BE-së. Ai përmendi në mënyrë të veçantë Francën, e cila do të mbajë zgjedhje vitin e ardhshëm.
“Unë nuk premtoj dot për gjëra që nuk varen prej meje, por ajo që është shumë e qartë, bazuar në progres-raportin e Komisionit Evropian, Komisioni është shprehur se viti tjetër do jetë viti ku duhet të nisim dhe të punojmë më traktatin e anëtarësimit, çka nënkupton se jemi në fazën e fundit të negociatave dhe nëse gjithçka shkon mirë do t’i përmbyllim negociatat në fund të vitit të ardhshëm dhe do jemi gati për të hedhur hapin e fundit.
Sigurisht, do të varet kjo edhe se ku do të jetë për dy apo tre vjet BE-ja. Ku do jetë Franca? Kemi zgjedhjet vitin e ardhshëm, askush nuk e di se çfarë lloj France do të dalë nga këto zgjedhje. Ajo çfarë dimë, ne duhet të bëjmë punën tonë dhe duhet të përfundojmë punën që po bëjmë”, tha Rama.
Më tej, kryeministri Rama u ndal te përdorimi i Inteligjencës Artificiale, e cila sipas tij po ndihmon në përafrimin e kuadrit ligjor të Shqipërisë me atë të Bashkimit Evropian.
Ai theksoi se Inteligjenca Artificiale dhe zhvillimi teknologjik është një “bekim i madh” për vende si Shqipëria.
Kryeministri pohoi se aktualisht që flasim, Shqipëria ofron 95 % të shërbimeve publike të saj përmes internetit.
“Deri më tani e kemi ndarë punën. Nuk është Shqipëria që vendos rregulla, rregullat i bën BE. Kemi ministren e parë të Inteligjencës Artificiale, dhe jemi shumë të kënaqur me të. Po përmirësohet dita ditës. Ne transformuam procesin e vjetër të transpozimit të legjislacionit evropian përmes Inteligjencës Artificiale, një sasi pune që për të tjerë para nesh ka dashur shumë vite për t’u bërë.
Ne po e bëjmë më së fundmi me shumë shpejtësi. Po punojmë po kështu për diçka, që unë shpresoj shumë që do ketë sukses që do jetë një proces i prokurimeve publike plotësisht që kryhet me Inteligjencën Artificiale.
Do jetë një ndryshim tërësor loje jo vetëm për në, por për të gjithë. Inteligjenca Artificiale është bekim për vende si i yni. 95 % të shërbimeve tona publike i kemi në internet”, tha ai.
/tvklan.al












Botërori 2026 