Qeveria ka nisur fushatën për të promovuar nismën “Investo në tokën tënde”, çka është dhe synimi i Paketës së Maleve që u miratua pak ditë më parë nga Parlamenti.
Përfituesit do të jenë 500 dhe për 10 vite do të jenë të përjashtuar nga taksat ndërkohë që bashkitë siç lajmëron kryeministri gjatë takimi në Shkodër janë duke përcaktuar territoret ku do të lejohet të ndërtohet nga ata që e kanë pronën e tyre, por nuk kanë një certifikatë hipotekore.
“Një nga arsyet që është menduar kështu që mos të lihet kështu “ku ka mal, hajde”, është edhe për të krijuar balancë për zonat e mbrojtura”, tha Rama.
Agroturizmet që aktualisht zgjidhen si alternativa më pak të kushtueshme se hotelet, Rama siguron se me anëtarësimin në BE nuk do të jenë më kaq ekonomike.
“Me hyrjen në Bashkimin Europian do jenë një ofertë luksi dhe nuk do jenë hajt se po shkojmë të hamë pulat në fshat”, tha Rama.
Ai siguron po ashtu se e ardhmja e turizmit shqiptar do jenë malet, por kërkon që të investohet për të thithur turistë elitarë.
“Përpjekja është si t’i bëjmë të lejnë më shumë Lekë në Shqipëri”, shprehet Kryeministri.
Ndaj ai i bën thirrje të rinjve që jetojnë jashtë të rikthehen për të investuar, pasi siç i vjen në ndihmë dhe historia e një djali nga Thethi do të fitojnë shumë më shumë në vendin e tyre.
Në takimin me hotelieret e qarkut të Shkodrës u evidentua fakti i shtimit të apartamenteve që jepen me qira ditore pasi ka rritje të numrit të kërkesave nga turistët. Por kryeministri tha se nuk ka në planet e afërta një nismë që të formaliziojë dhe këto biznese familjare duke shpjeguar arsyet.
“E kemi lënë që njerëzit të mund të fitojnë ca Lekë. Të mos fillojmë historira me inspektorë e me kontrolle edhe nëpër shtëpia se nuk funksionon”, shprehet Rama.
Gjate paradites kryeministri inspektoi ne Shkoder disa investime te qeverise sic eshte rruga që lidh Shirokën me fshatin Zogaj, dhe më pas me doganën e Malit të Zi. Rama u ndal të shohë nga afër dhe punimet për krijimin një parku buzë Bunës i kompletuar me mjedise sportive, shëtitore për këmbësorët dhe rrugë për biçikletat.
Tv Klan