Ashtu siç kishte paralajmëruar, kryeministri Edi Rama konfirmoi këtë të hënë 7 ndryshime në kabinetin qeveritar. Këto emra, kreu i qeverisë tha se do t’ia propozojë të martën Presidentit Bajram Begaj për dekretim.
Kështu, në krye të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të jetë Ervin Mete. Mete ka mbajtur më parë postin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Ai zë vendin e Delina Ibrahimajt, të cilën, Rama e vendosi si ministre Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.

Një emër i ri në qeverinë Rama do të jetë edhe Albana Koçiu. Koçiu do të jetë ministre e Shëndetit dhe Mirëqenies Sociale duke zëvendësuar në këtë post pas 6 vitesh Ogerta Manastirliun.

Kjo e fundit nuk largohet nga qeveria, por do të marrë në drejtim një ministri tjetër të rëndësishme. Manastirliu do të jetë ministrja e re për Arsimin dhe Sportin.

Olta Xhaçka ikën nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme dhe do të zëvendësohet në këtë detyrë nga Igli Hasani.

Rama bëri me dije se Anila Denaj do të jetë ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural duke zëvendësuar kështu Frida Krifcën.

Kryeministri njoftoi edhe një ministri të re, atë të Pushtetit Vendor, që do ta mbulojë Arbjan Mazniku.

Ndryshimet në qeveri, kush largohet dhe kush emërohet
Ministër i Financave dhe Ekonomisë – Emërohet Ervin Mete; Largohet Delina Ibrahimaj
Ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit – Emërohet Delina Ibrahimaj; Largohet Edona Bilali
Ministre e Shëndetit dhe Mirëqenies Sociale – Emërohet Albana Koçiu; Largohet Ogerta Manastirliu
Ministër i Arsimit dhe Sporti – Emërohet Ogerta Manastirliu; Largohet Evis Kushi
Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme – Emërohet Igli Hasani; Largohet Olta Xhaçka.
Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit – Emërohet Anila Denaj; Largohet Frida Krifca
Ministër i Pushtetit Vendor (Ministri e re): Emërohet Arbjan Mazniku
Ministria e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet (Shkrihet) – Largohet Milva Ekonomi
/tvklan.al












Botërori 2026 