Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot në 21 prill një takim me operatorë të biznesit ushqimor.
Në këtë takim është i pranishëm dhe ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, Blerina Gjylameti, ministri i Bujqësisë, Andis Salla, si dhe ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka.
Fjalën e para e mori drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, Blerina Gjylameti. Ajo tha se thertoret duhet të jenë të standardeve evropiane.
“Duhet që të kemi thertore që kanë standarde evropiane. Kjo eliminon kontaminimin e ushqimeve. Sektori i qumështit po ashtu është një problem më vete. Do zbatojmë një strategji, duke mbështetur fermerët, me një qasje me standarde evropiane. Do të ngremë laboratorë dhe do të rrisim infrastrukturën për shpërndarjen e produkteve. Duam të ndërtojmë një sistem të matshëm dhe transparent. Siguria ushqimore është një standard, që nuk negociohet. Asnjë produkt që rrezikon shëndetin e qytetarëve nuk do të dalë në treg. Parandalimi do jetë shumë më i fortë sesa ndërhyrja pas faktit”, tha Gjylameti.
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato deklaroi se në vendin tonë do të ketë laboratorë, që do të jenë tepër të saktë dhe do të mund të dallohen qartësisht produktet që janë me standardin e duhur për konsum.
“Në Shqipëri do të ketë laboratorë, që janë modernë dhe të saktë e të cilët do të japin rezultate të sakta për çdo produkt ushqimor, që ky produkt, kur të dalë në treg, të jetë tërësisht me cilësi. Duhet të ndërtohet një zinxhir ushqimesh, që të kenë cilësinë e duhur. Harmonizimi me standardet e BE-së krijon mundësi të reja për investime dhe për eksporte. Ecuria e Shqipërisë varet nga përparimet dhe hapat e radhës janë vendimtare”, tha Gonzato.
Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatiorja Majlinda Dhuka, deklaroi se konsumatori shqiptar duhet të jetë si ai evropian.
“Shqipëria duhet të arrijë të gjitha standardet e sigurisë evropiane. Vendi ynë ka mundësi që ta ndërtojë këtë proces, duke krijuar institucione të cilësisë më të forta dhe pro evropiane. Të bërit vend anëtar në BE, do të thotë që siguria ushqimore duhet të jetë e njëjtë si në Shqipëri, ashtu edhe për produktet që eksportohen në Bashkimin Europian. Sidomos produktet si mishi, veza, qumështi duhet të jenë produkte të sigurta. Kemi një kërkesë specifike nga ana e BE-së dhe duke qenë se Shqipëria po punon për të mbyllur sigurinë ushqimore, puna për këtë gjë ka nisur. Do skanohen gjitha produktet ushqimore, sidomos të mishit, vezëve, peshkut etj, sidomos në standardin e higjienës. Procesi i skanimit ka nisur që më 14 prill dhe po kryhet nga AKU për mbi 900 produkte. AKU do të trokasë pranë produkteve tuaja prodhues. Po përgatisim bizneset shqiptare për t’u bërë pjesë e BE-së”, deklaroi Dhuka.
Fjalën më tej e mori kryeministri Edi Rama. Ai tha se siguria ushqimore është sfida më e vështirë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
“Siguria ushqimore është sfida më e vështirë e procesit të integrimit në BE. Procesi i anëtarësimit në BE ka shumë rëndësi për të ardhmen e vendit dhe të fëmijëve tanë. Ne do garantojmë standarde të Bashkimit Europian. Këto standarde sigurie po arrihen vetëm falë punës së palodhur që po bëhet sot nga Brukseli, por edhe nga ne, që kemi marrë zotimin që të ndryshojmë gjërat në vend. Siguria ushqimore nuk mund të negociohet. Kur flasim për ecje drejt Europës, flasim për Shqipërinë që bëhet Europë. Na duhen laboratorët, për të pasur produkte cilësore dhe kjo është rrugë që nuk shmanget dot. Duhet luftuar informaliteti në zinxhirin ushqimor”, tha Rama.
Falënderoi kryeinspektorin e Përgjithshëm Dashnor Sulën, duke thënë se ka bërë punë tepër të mirë në drejtim të sigurisë ushqimore. Po ashtu, u shpreh se sipërmarrjen e pret një sfidë e madhe përpara. Kryeministri paralajmëroi 900 subjekte, se nëse nuk plotësojnë standardet ushqimore, do mbyllen.
“Inspektoratet kanë bërë punë të lavdërueshme në terren. Kontrollohet duhen shtuar dhe të jenë efikase 100 përqind. Kemi sot mundësinë e binjakëzimit të institucioneve tona me ato të BE-së, që të marrim dije të institucioneve të klasit A në Bashkimin Europian. Së shpejti do kemi një binjakëzim të institucioneve tona me ato të BE-së për cilësinë e produkteve. Ajo që pret sipërmarrjen është një thikë me dy presa. Nga njëra anë do jetë horizont i ri mundësish dhe nga ana tjetër humnerë falimentimi, për ata që nuk janë të përgatitur. 900 subjekte do kontrollohen tërësisht. Dikur gjëja e gjallë therej në trotuar, por thertoret duhet të jenë në standard cilësor, për të marrë certifikatën, që të mund t’i shërbesh tregut evropian”, deklaroi Rama.
Tha se askujt nuk duhet që t’i shkojë ndërmend, që me sigurinë ushqimore, mund të manipulojë, aq më keq Bashkimin Europian.
Rama tha se i frikësohet idesë shqiptare, se “do ia gjëjmë dhe BE-së mënyrën sesi do ja rrëshqasim topin nën shalë”. Kryeministri iu tha sipërmarrësve se qeveria është krah për krah me ta, për të arritur objektitin, sigurinë ushqimore për fëmijët e vendit.
“Unë atë që kam frikë është ideja shqiptare, hajd se dhe BE-së do ia gjejmë mënyrën. Do ia gjejmë mënyrën sesi do ia rrëshqasim topin nën shalë dhe BE-së. Por e ka shumë gabim kush mendon kështu. Ne do të jemi mbështetës të çdo sipërmarrjeje, që plotëson standardet, pasi janë dhe jenë shembuj për vendin dhe atë që na pret, integrimin në BE. Kontrollet do të jenë për t’ju ndihmuar, jo për t’ju penalizuar. Këtë e kërkojnë fëmijën tanë dhe fëmijët tuaj. Keni detyrën që t’iu shisni qytetarëve produkte të sigurta. Neve nuk na keni përballë, por na keni krah për krah. Mos manipuloni, sepse asgjë nuk do të marrë askush me vete”, përmbylli Rama.












Botërori 2026 
