Shkodra ka shijuar një koncert fantastik nga yjet e skenës me famë botërore, tenori operistik Rame Lahaj, këngëtari i mirënjohur Alessandro Safina dhe dirigjente Elda Laro.

I mbajtur në zonën turistike të Shirokës koncerti i konsideruar i niveleve mbarëkombëtare solli një gërshetim këngësh dhe melodish të cilat u duartrokitën pareshtur nga publiku artdashës i Shkodrës.

Për Alessandro Safinën kjo është hera e parë që është në Shkodër dhe është i befasuar nga vendi, publiku dhe mikpritja. Ai tha se do rikthehet jo vetëm për koncerte, por shumë shpejt do bëjë dhe pushimet ketu.

“Vij për hërë të parë. Vendi është shumë i bukur edhe publiku është fantastik. Më pritën ngrohtë. Jam ndjerë shumë mirë në Shkodër. A do të tkthehem sërish? Pse jo. Jo vetëm për të kënduar, por edhe për të pushuar në vendin tuaj.”

Dirigjentja Elda Laro u shpreh entuziaste për rikthimin në Shkodër pas thuajse 40 vitesh, duke e konsideruar këtë një natë magjike me emocione të forta

“Emocione të pafundme. Një natë e paharueshme me emocione tepër të forta. Ka qenë një koncert magjik për mua dhe dua të them që edhe publiku është përgjigjur në një mënyrë shpirtërore të jashtëzakonshme.”

Koncerti i organizuar nga Bashkia Shkodër mblodhi më shumë se 1000 të ftuar teksa interesi për këtë event ishte i jashtëzakonshëm.

Klan News