Kupa e Botës ka hyrë në fazën më të nxehtë të saj, me ndeshjet e treta që do të përcaktojnë skuadrat që do të vazhdojnë rrugëtimin më tej në këtë turne. Në disa grupe, edhe detajet më të vogla mund të vendosin fatin e ekipeve.

Zvicër-Kanada është beteja për kreun e grupit. Kanadaja vjen në këtë përballje me një avantazh të rëndësishëm falë diferencës së golave pas fitores ndaj Katarit. Të dyja ekipet kanë nga katër pikë, por Kanadaja mban një diferencë golash prej +6, ndërsa Zvicra +3. Ky avantazh i jep Kanadasë një siguri më të madhe, pasi një barazim do t’i mjaftonte për të ruajtur vendin e parë. Zvicra, do të kërkojë patjetër fitoren, pasi vendi i parë sjell një rrugë më të favorshme në fazën me eliminim direkt. Fituesi i grupit përballet me një ekip të vendit të tretë në raundin e 1/32-shave, ndërsa vendi i dytë përballet me një kundërshtar më të fortë.

Grupi I sjell një nga përballjet më tërheqëse të këtij raundi, Norvegjia përballë Francës. Të dyja skuadrat kanë nga gjashtë pikë dhe synojnë vendin e parë. Erling Haaland dhe Kylian Mbappé janë gjithashtu në garë për Këpucën e Artë, duke e bërë këtë duel edhe më interesant për tifozët. Norvegjia nuk ka shumë arsye të luajë për barazim, pasi diferenca e golave favorizon Francën. Fituesi i grupit do të ketë një rrugë më të lehtë në fillim të fazës eliminatore, ndërsa vendi i dytë mund të përballet me një kundërshtar shumë të fortë në vazhdim.

Uruguai hyn në ndeshjen ndaj Spanjës nën presion. Pas dy barazimeve, skuadra amerikano-jugore ka nevojë për një rezultat pozitiv për të siguruar kualifikimin. Spanja kryeson grupin me katër pikë, ndërsa Uruguai dhe Kepi i Gjelbër kanë nga dy pikë. Për Uruguain, fitorja është mënyra më e sigurt për të kaluar më tej. Spanja, nga ana tjetër, do të kërkojë të paktën një barazim, pasi një humbje mund ta komplikojë pozicionin e saj në renditje.

Në Grupin G, përballja mes Zelandës së Re dhe Belgjikës mund të jetë vendimtare. Belgjika ka dy pikë, ndërsa Zelanda e Re vetëm një. Nëse rezultatet e tjera shkojnë sipas pritshmërive, kjo ndeshje mund të përcaktojë drejtpërdrejt se kush do të zërë vendin e dytë dhe kush do të eliminohet nga turneu. Fituesi do të ketë një kundërshtar më të përballueshëm në raundin tjetër, ndërsa humbësi do ta mbyllë aventurën në Kupën e Botës.

Kolumbi-Portugali është një tjetër sfidë me shumë peshë. Luzitanët vijnë me moral të lartë pas fitores 5-0 ndaj Uzbekistanit dhe tani synon të sigurojë kreun e Grupit K. Një fitore do t’i jepte Portugalisë vendin e parë me shtatë pikë dhe një pozicion më të favorshëm në fazën eliminatore. Për tifozët që ëndërrojnë një përballje të madhe mes yjeve të futbollit në fund të turneut, një ecuri e mirë e Portugalisë mund të hapë mundësinë e një dueli me Argjentinën dhe Lionel Messin në fazat e ardhshme. Emocionet e kampionatit Botëror 2026 përjetohen falas dhe ekskluzivisht në TV kombëtar Klan.

/tvklan.al