Ndryshimet që do të pësojë harta administrative territoriale nëse socialistët do të miratojnë të enjten projektligjin që e ul në 46 numrin e bashkive, do të kërkojë ndërhyrje dhe në kodin zgjedhor për të bërë të mundur nga ana praktike mbajtjen e zgjedhjeve lokale.
Por aktualisht komisioni i reformës zgjedhore ka javë që nuk mblidhet dhe nuk ka nisur punën as për rekomandimet e OSBE ODIHR, arsye përse u pa e nevojshme të ngrihej një komision i posaçëm parlamentar.
Komisioneri shtetëror i zgjedhjeve në një intervistë për Tv Klan flet jo pa shqetësim për kohën që po shtrëngohet dhe vështirësitë që krijohen për mirëadministrimin e zgjedhjeve lokale që pritet të zhvillohen brenda 7 muajve të ardhshme.
“Ky është film i parë edhe pse detyra jonë është të zbatojmë ligjin prapë kjo vonesë do të krijojë probleme dhe për institucionin tonë”, tha Celibashi.
Një prej propozimeve që vjen nga opozita por duket se gjen mbështetje dhe nga shumica për një përfaqësim më të drejtë është që kandidatët për këshilltarë bashkiak të zgjidhen me lista të hapura.
Edhe pse e mbështet një propozim të tillë, Celibashi pranon se procesi i numërimit do të komplikohej dhe do të kërkonte shumë më tepër kohë seç kërkon sot.
Zgjidhja optimale do të ishte të shkohej drejt votimit dhe numërimit elektronik, por nëse kjo nuk do të ishte e mundur Celibashi propozon kthim tek numërimi brenda qendrave të votimit.
Demokratët po ashtu propozojnë që kryebashkiakët të zgjidhen me 50 plus 1 përqind të votave dhe nëse nuk arrihet kjo të shkohet në balotazh, ndërkohë që aktualisht mjafton një votë më shumë se kundërshtari dhe shpallesh fitues.
Celibashi e sheh pozitivisht këtë propozim por kujton se do dojë më shumë para dhe burime njerëzore.
Sa i takon rekomandimeve të ODIRIT për Celibashin edhe po nuk u gjet dakortësia për tu miratuar ndryshimet e propozuara, qeveria vetë duhet të gjejë mekanizmat për të ndaluar përdorimin e administratës në zgjedhje një nga kritikat e raportit për zgjedhjet e 2025.
Mandati i komisionit të posacëm të reformës zgjedhore përfundon në fund të nëntorit dhe aktualisht nuk ka asnjë produkt konkret.
Socialistët kanë deklaruar se nuk do të pranojnë shtyrje të afatit ndaj kërkojnë nga opozita të ulen në tryezë për të punuar për ndryshimet.
/tvklan.al












Botërori 2026 