Ka përfunduar pas më shumë se katër orë protesta e 10-të e qytetarëve të Tiranës këtë të martë, 9 qershor, kundër projektit të Zvërnecit, si dhe me kërkesë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Sikurse ditët e tjera, qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin ‘Skënderbej’, marshuan drejt Kryeministrisë, e më pas në rrugët e kryeqytetit.
Por, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është dorëzuar një draft me propozime për ndryshime në Kodin Zgjedhor.
Sipas një protestuesi, nisma synon të garantojë zgjedhje më të lira, të ndershme dhe të barabarta, duke vendosur në qendër interesat e qytetarëve dhe jo të partive politike. Ai theksoi se ndryshimet e propozuara do të krijojnë rregulla të reja zgjedhore, me synimin që proceset e ardhshme elektorale të jenë më përfaqësuese dhe më afër interesit të qytetarëve.
“Kam një lajm për ju sot. Nga grupi ynë organizator në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kemi dorëzuar një draft ku kemi paraqitur ndryshime për Kodin Zgjedhor. ‘Shqipëria e Re’ fillon nga zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta. Në 35 vite janë bërë shumë zgjedhje, por këto zgjedhje janë bërë për partitë, nuk janë bërë për qytetarët. Kodi i Ri që ne propozojmë është Kodi i Qytetarëve, që përkon dhe shpreh interesat e qytetarëve dhe jo interesat e partive, aq më tepër interesat e Edi Ramës. Prandaj, në zgjedhjet e ardhshme do të shkohet me rregulla të reja në lojë, ku përparësi të kenë qytetarët dhe jo partitë”, u shpreh protestuesi.
Protesta paqësore janë mbajtur gjithashtu dhe në rrethe.
Ashtu si Gjergj Kastrioti mblodhi princat e Besëlidhjes së Lezhës në vitin 1444, edhe sot dhjetëra qytetarë u mblodhën në ditën e 10-të të protestës kundër qeverisë Rama.
Protestuesit, të pajisur me pankarta dhe parulla të ndryshme, marshuan në rrugët e qytetit duke kërkuar largimin e qeverisë. Gjatë tubimit u dëgjuan thirrje dhe mesazhe që bënin apel për ndryshime politike dhe sociale në vend.
Nën sloganin “Shqipëria e Re”, pjesëmarresit shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisjes aktuale dhe kërkuan mbajtjen parasysh të kërkesave të qytetareve.
Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, duke synuar rritjen e pjesëmarrjes qytetare dhe përcjelljen e mesazheve të tyre tek institucionet shteterore.
Pas nuk ngelet as Korça, e cila sot zhvilloi protestën e 6-të dhe ndajnë të njëjta kërkesa me të rinjtë në kryeqytet.
Protestat e të rinjve kanë marrë dhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare, teksa dhe Reuters prej dy ditësh jep drejtpërdrejtë pamje nga Tirana.
Këto protesta janë cilësuar prej të rinjve si “Revolucioni i Flamingove”. Flamingo u përzgjodh si simbol sepse përfaqëson drejtpërdrejtë ekosistemin e Lagunës së Nartës, por më pas u bë si shenjë dalluese e ngritjes të së rinjve të cilët shprehin pakënaqësitë ndaj çështjeve sociale, ekonomike dhe politike në vend përmes protestave.
/tvklan.al












Botërori 2026 
