Rikthehet në Tiranë, pas 4 vitesh një nga ngjarjet më të rëndësishme artistike.
Në ambientet e galerisë së artit u çel Bienalja Ndërkombëtare e Grafikës dhe Vizatimit. Në këtë edicion të dytë, Bienalja ka bërë bashkë punimet e artistëve më të njohur shqiptarë e ndërkombëtarë, nga 24 vende të botës.
“Jam e kënaqur që e shoh këtë galeri me kaq shumë artistë. Pashë që ka punë të mrekullueshme. Do ishte mëkat që të mos e shihni këtë Bienale”, tha drejtorja e Galerisë së Artit në Tiranë, Ormira Lulani.
Ndonëse jo në përmasat e edicionit të parë, kjo Bienale për ideatorin e saj Abaz Hado është një urë lidhëse mes artistëve nga e gjitha bota në kryeqytetin shqiptar, e cila nxiti dialogun artistik si dhe pasuron jetën kulturore të Tiranës.
“Krahasuar me të parën është më e vogël. Angazhuam lidhjet që kemi që nga Bienalja e parë e cila ishte një sukses i jashtëzakonshëm. Ky është ballafaqimi i shkollave. Dhe ne kuptojmë që shkolla Kosovare, e shumë vendeve të tjera, ballafaqohen me të tjerët. Janë eksperienca që vijnë këtu në ambientin shqiptar. Kjo është një ngjarje e rëndësishme për jetën e kryeqytetit”, tha ideatori i Bienales Ndërkombëtare të Grafikës dhe Vizatimit, Abaz Hado.
Rikthimi i Bienales Ndërkombëtare të Grafikës dhe Vizatimit shihet gjithashtu si vazhdim i traditës që promovon një nga gjinitë më të veçanta të artit.
“Ky edicion ka një organizim me një ndarje në tre plane: pjesa e artistëve të huaj, pjesa e artistëve të Kosovës, dhe pjesa e artit shqiptar. Janë 200 vepra dhe mbi 100 autorë. Një vend i veçantë është për artisë të rinj. Kemi nevojë për sa më shumë kulturë”, tha Kuratori i Bienales Ndërkombëtare të Grafikës dhe Vizatimit, Pandi Madhi.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun përgjatë 10 ditëve, ku në mbyllje të saj do të ndahen edhe çmimet.
/tvklan.al












Botërori 2026 