Evis Mula zbulon si lindi ideja

E ftuara tek “Rudina”, Evis Mula tregoi se ideja e rikthimit të këngës së Parashqevi Simakut erdhi nga kolegu i saj Alfred Koçi. Kënga është bërë për maturantët e këtij viti, të cilët për shkak të pandemisë së Covid-19 nuk arritën që të organizojnë festat e tyre të maturës.

Rudina Magjistari: Si lindi ideja e rikthimit të këngës së Parashqevi Simakut?

Evis Mula: Gjërat e bukura lindin në mënyrë krejt spontane. Ne duke u gjendur edhe në periudhën e pandemisë në punë, një periudhë fare të shkurtër e kaluam online, por pastaj të gjithë iu rikthyem, me të gjitha kushtet e distancimit, iu rikthyem punës në zyrë, sepse të them të drejtën se pjesa e arsimit ka funksionuar gjatë të gjithë pjesës së pandemisë, sepse nuk mund t’i linim fëmijët dhe të gjithë nxënësit që të vegjetonin në shtëpi. Mësimi duhet që të vazhdonte, natyrisht e dimë që edhe kur je në bankë të shkollës edhe nxënësit nuk arrin t’i kontrollosh ashtu siç duhet, jo më online duke përfshirë këtu edhe shkolla të qarkut të cilët ndodhen edhe në zona më të larta. Ne i dimë jashtë mase vështirësitë që kanë hequr mësuesit. Mësuesit vërtetë kanë qenë heronjtë e kësaj. Me kolegun tim Alfred Koçi. Edhe Alfredi ka mbaruar për muzikë dhe ne duke mbuluar sektorin e sportit dhe kulturës, por duke mos patur për momentin kulturë dhe sport për t’u marrë për shkak të pandemisë, atëherë po gjendemi në të gjitha sektorët për të cilët tashmë ka nevojë Zyra Arsimore Vendore. Duke filluar që nga regjistrimet në shkolla  të gjitha këto me radhë. Dëgjojmë një këngë, një orkestrale që ai e kishte në kompjuter dhe them “o Fredi pse nuk e regjistrojmë”. Kjo mund të ishte një kolonë zanore e mrekullueshme për maturantët, sepse ua kemi borxh maturantëve këtë gjë. Maturantët ndoshta nuk e dimë a do të bëjnë mbrëmjen e maturës, a do të jenë të privuar nga shumë lukse.

Rudina Magjistari: Sot duket një luks, ndërkohë që për gjeneratat e tjera ka qenë një festë e padiskutueshme, që bëhej, ndodhte, organizohej shumë më herët, bëheshin plane, thureshin ëndrra.

Evis Mula: Dhe ne menduam në fakt se ishim akoma midis, po themi shifrat nuk do ishin këtu ku janë dhe maturantët do të festonin. Gjithsesi Alfredi më dha këtë spunto./tvklan.al