Cristiano Ronaldo po përjeton një nga momentet më të vështira të aventurës së tij në Arabinë Saudite. Pas largimit nga kombëtarja portugeze, 41-vjeçari është tashmë në shënjestër të kritikave edhe në kampionatin saudit.

Këtë herë, në qendër të debatit është pikërisht obsesioni i tij për të arritur shifrën historike prej 1000 golash në karrierë.

Humbja 3-1 e Al-Nassr ndaj Al-Ahli ka ndezur polemikat. Ylli portugez shënoi golin e vetëm të skuadrës, duke çuar në 986 numrin e golave në karrierë, por pak minuta më vonë shpërdoroi një penallti, duke shfaqur hapur zhgënjimin e tij dhe duke shtuar pakënaqësinë mes tifozëve.

Kritikat më të forta erdhën nga Abdulghani, ish-kapiten i Al-Nassr dhe ish-mbrojtës i kombëtares saudite. Gjatë një emisioni televiziv, ai vuri në pikëpyetje kontributin aktual të portugezit, duke theksuar se problemi i skuadrës nuk lidhet me mungesën e golave të Ronaldos, por me ndikimin e tij në lojën kolektive.

Madje, ai deklaroi se tifozët duhet të shpresojnë që portugezi të arrijë sa më shpejt golin e 1000-të, në mënyrë që kjo histori të marrë fund.

Edhe statistikat tregojnë një kontrast: nëntë gola në 11 ndeshje të kampionatit saudit, por asnjë asistim, dy penallti të humbura radhazi dhe nëntë pozicione jashtë loje.

Megjithatë, trajneri Postecoglou vijon ta mbështesë, duke e konsideruar një lider të rëndësishëm për skuadrën.

Në një moment kur rekordi personal është pranë, sfida e Ronaldos mbetet të dëshmojë se ambicia individuale mund të ecë paralelisht me suksesin kolektiv të Al-Nassr.

Klan News

/tvklan.al