Roman Abramovich mund të arkëtojë edhe 150 milionë paund nga shitja e Chelseat, katër vite pas largimit nga drejtimi i klubit londinez.
Një shumë e konsiderueshme, e mbajtur si garanci në momentin e shitjes për 2.5 miliardë paund në maj të vitit 2022, mund të përfundojë sërish në duart e ish-pronarit rus.
Sipas gazetës britanike “The Times”, pasqyrat e fundit financiare të kompanisë Fordstam, përmes së cilës Abramovich kontrollonte Chelsean, përcaktojnë për herë të parë një afat konkret për zgjidhjen e kësaj çështjeje: 30 maj 2027.
Kompania Blueco 22 Ltd, pjesë e konsorciumit të udhëhequr nga Todd Boehly dhe Clearlake Capital, që bleu klubin, duhet të përllogarisë deri në këtë datë çdo penalitet apo detyrim që mund të zbritet nga shuma e mbajtur.
Çdo bilanc i mbetur duhet t’i paguhet Fordstam. Paratë u lanë mënjanë për të mbuluar gjoba të mundshme, shkelje të rregulloreve të futbollit dhe shpenzime ligjore që lidhen me 19 vitet e administrimit të klubit nga Abramovich.
Megjithatë, shuma përfundimtare që mund të përfitojë miliarderi rus mund të jetë më e vogël.
Chelsea është përballur me penalitete për pagesa të padeklaruara ndaj agjentëve dhe ndërmjetësve gjatë pronësisë së mëparshme.
Në vitin 2026, Premier League dhe Federata Angleze e Futbollit e gjobitën klubin me nga 10 milionë paund, ndërsa UEFA kishte vendosur një gjobë prej 10 milionë eurosh në vitin 2023.
Këto detyrime mund të zbriten nga fondi prej 150 milionë paundësh.
Për më tepër, Fordstam ka shprehur pasiguri për rikuperimin e plotë të shumës, duke e regjistruar vlerën e saj kontabël si zero.
Ndërkohë, pasuritë e kompanisë Fordstam kanë arritur në 2.28 miliardë paund, pas një rritjeje prej 77 milionë paundësh në vitin financiar që përfundoi në qershor 2025.
Megjithatë, asetet mbeten të ngrira për shkak të sanksioneve britanike ndaj Abramovich, të vendosura pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Në një tjetër front, vijon përplasja mes ish-pronarit të Chelseat dhe qeverisë britanike për destinacionin e 2.5 miliardë paundëve të shitjes së klubit. Abramovich kërkon që fondet të përdoren për viktimat e luftës pa kufizime gjeografike, ndërsa Londra këmbëngul që ato të shkojnë ekskluzivisht për ndihma humanitare në Ukrainë.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
