Kriza mes Cristiano Ronaldos dhe kombëtares portugeze nuk mbyllet me largimin nga grumbullimi. Përplasja në Kopenhagen tashmë ka hapur edhe një kapitull të ri, atë disiplinor.
Në Portugali, vëmendja është përqendruar te pasojat që mund të ketë vendimi i kapitenit dhe, mbi të gjitha, te marrëdhënia e tij me kombëtaren.
41 vjeçari u largua nga grumbullimi pasi Jorge Jesus vendosi të preferojë Gonçalo Ramos në formacionin titullar ndaj Danimarkës.
As ndërhyrja e trajnerit, dhe as ajo e presidentit të Federatës nuk mjaftuan për ta bindur yllin portugez të ndryshonte vendim.
Tashmë, çështja merr edhe një dimension disiplinor. Sipas rregullores së Federatës Portugeze, një lojtar i grumbulluar që largohet pa arsye të justifikuar nga një aktivitet i kombëtares rrezikon një pezullim nga një deri në gjashtë muaj.
Për futbollistët profesionistë parashikohet edhe një gjobë, ndërsa në raste të tilla mund të vendoset edhe pezullim i përkohshëm. Në këtë histori nuk kanë munguar as reagimet nga jashtë fushës.
Motra e portugezit, ka dalë në mbrojtje të tij në rrjetet sociale. Në postimin e saj, ajo pretendon se Cristiano nuk është trajtuar me respektin që meriton.
Një qëndrim tjetër vjen nga José Mourinho. Ish-trajneri i Ronaldos te Real Madridi ka mbështetur autonominë e Jorge Jesus dhe ka vënë në dukje ndryshimin e rolit të kapitenit brenda kombëtares.
Sipas Mourinhos, në moshën 41-vjeçare, eksperienca dhe aftësia për të udhëhequr grupin mund të marrin një peshë edhe më të madhe.
Vetë Ronaldo ka zgjedhur të mos japë ende versionin e plotë të ngjarjes. Ai ka bërë të ditur se “në kohën e duhur” do të flasë, duke lënë pezull detajet e asaj që ka ndodhur.
Ndërkohë, Portugalia përgatitet për ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve dhe për një kapitull të ri, me numrin 7 që këtë herë pritet t’i besohet Rafael Leãos.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
