Humbja ndaj Chelsea ka lëkundur përfundimisht pozitat e Michael Carrick në stolin e Manchester United. Tekniku është i destinuar për tu larguar nga “djajtë e kuq”, pas një ecurie të gjatë me rezultate negative.
Por pavarësisht kësaj, mediat britanike, konfirmojnë se Michael Carrick do të vazhdojë të jetë në krye të Manchester United për ndeshjen e së martës në Champions League kundër Romës. United nuk ka arritur të fitojë në nëntë ndeshjet e fundit, duke regjistruar edhe nisjen më të dobët të sezonit që prej vitit 1988.
Drejtuesit e klubit kanë vendosur t’i japin Carrick një tjetër mundësi për të përmbysur situatën, por pozicioni i tij do të rishikohet sërish gjatë pushimit të ardhshëm ndërkombëtar.
Përpara kësaj periudhe, Manchester United do të presë Aston Villën të dielën e ardhshme në Premier League. 45-vjeçari ishte pranë shkarkimit edhe javën e kaluar.
Situata në renditje është shqetësuese për klubin, pasi Manchester United ndodhet në vendin e 17-të me vetëm shtatë pikë, duke qëndruar mbi zonën e rënies nga kategoria vetëm falë golavarazhit. Ndërkohë, drejtuesit kanë nisur të shqyrtojnë edhe alternativat në rast të largimit të Carrick.
Sipas raportimeve, Eddie Howe është kandidati i preferuar i Jason Wilcox për të marrë drejtimin e skuadrës. Ish-trajneri i Newcastle është i hapur për një kalim te United, por një marrëveshje e tillë do të kërkonte negociata me klubin e tij të mëparshëm dhe një kompensim që raportohet të jetë rreth 3 milionë paund.
Një tjetër emër që po shqyrtohet është Julian Nagelsmann, ish-trajneri i Bayern Munich dhe i Kombëtares së Gjermanisë.
Ai vlerësohet veçanërisht nga drejtori i rekrutimeve të United, Christopher Vivell, me të cilin ka bashkëpunuar më parë te RB Leipzig.
Sipas raportimeve, Vivell ka kontaktuar me bashkëkombësin e tij për të diskutuar mundësinë e një bashkëpunimi të ardhshëm. Për momentin, Carrick mbetet në stol, por ndeshjet e ardhshme mund të jenë vendimtare për të ardhmen e tij në Old Trafford.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
