Në një kohë që konflikti në Lindjen e Mesme është në javën e dytë, çmimi i naftës në tregun vendas po pëson rritje pothuajse çdo 24 orë. Mesatarisht nafta po tregtohet me 200 lekë.

Në shumicën e pikave të karburanteve në kryeqytet nafta po tregtohet me 198 lekë për litër ndërsa benzina po tregëtohet me 188 lekë për litër. 

Por ka edhe pika karburantesh që e kanë çmimin 201 lekë për litër.

Ndërkohë që para nisjes së sulmeve në Iran çmimi i naftës por edhe i benzinës në tregun vendas ishte 175 lekë për litër, duke bërë që xhepat e konsumatorëve në pesë ditët e fundit të përojetojnë një rritje të çmimit të karburanteve me mbi 13%.

Sa i përket rritjes së çmimeve të karburanteve në pikat e tregtimit me pakicë, autoriteti i konkurrencës ka njoftuar se ka nisur monitorimin e tregut për të parandaluar çdo abuzim të mundshëm me çmimet në treg.

Pas një takimi që ministrat Ibrahimaj, Malaj dhe Karakaçi zhvilluan me kompanitë kryesore të sektorit të hidrokarbureve dhe drejtuesit e Shoqatës së Hidrokarbureve u vendos ngritja e një mekanizmi për monitorimin e përditshëm të çmimeve të hidrokarbureve në tregun vendas për të garantuar transparencë dhe stabilitet në treg.

Ndërsa ministria e Financave do të ngrejë një task-forcë të përbashkët mes administratës tatimore dhe doganore për rritjen e kontrollit dhe efikasitetit në sektorin e hidrokarbureve, në tregtimin me shumicë dhe me pakicë, në mënyrë që të shmangen rritjet abuzive të çmimit të tregtimit të karburanteve.

Tv Klan

/tvklan.al