Shtohet presioni amerikan mbi Izraelin për të mbrojtur civilët e Gazës. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke folur në një konferencë shtypi në Uashington deklaroi se ekziston një hendek midis qëllimit të Izraelit për të mbrojtur civilët në Gaza dhe asaj që po ndodh në terren.

“Ndërsa qëndrojmë këtu gati një javë pas kësaj fushate në jug, pas përfundimit e pauzës humanitare mbetet e domosdoshme që Izraeli të vendosë në objektivin e tij mbrojtjen civile. Dhe mbetet një hendek midis, pikërisht asaj që thashë kur isha atje, qëllimit për të mbrojtur civilët dhe rezultateve aktuale që po shikoj tani.”

Kjo ishte kritika më e fortë e bërë deri tani nga Blinken ndaj shtetit hebre, që vazhdon të këmbëngulë nga ana e tij se po ndërmerr hapa për të minimizuar dëmtimin e civilëve, por situata paraqitet më e zymtë nga dita në ditë. Një paralajmërim dramatik erdhi edhe nga Lloyd Austin, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, fundjavën e kaluar ku deklaroi se Izraeli po rrezikon ta çojë popullsinë e Gazës në krahët e armikut, duke e kthyer një fitore taktike. Nga ana tjetër Blinken bërë sërish thirrje se Izraeli gjithashtu duhet të bëjë më shumë për të lejuar ndihmën humanitare në Gaza.

Ndërsa ushtria izraelite përparon në Gazën jugore, numri i palestinezëve të vrarë po rritet me shpejtësi, spitalet janë të mbingarkuar dhe të paaftë për të trajtuar të gjithë. Autoritetet izraelite thonë se kanë marrë masa për të mbrojtur popullsinë, duke përfshirë publikimin e informacionit në internet për zonat ku duhet të shkojnë. Grupet e ndihmës thonë se ky është një sistem që nuk funksionon ndërsa banorët thonë se askund nuk është i sigurt, një gjë që e ka konfirmuar edhe e OKB.

Ndërkaq një sulm izraelit vrau dhjetëra dhe plagosi qindra të tjerë në disa shtëpi pranë Spitalit al-Amal dhe selisë së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis.

Ushtria izraelite goditi sërish 450 objektiva në Rripin e Gazës me sulme nga ajri, deti dhe toka gjatë 24 orëve të fundit. Katër raketa janë lëshuar nga Gaza drejt qytetit jugor izraelit Sderot, sipas autoriteteve locale, të cilat u kapën nga sistemi mbrojtës Iron Dome i Izraeli, por nuk u raportua për viktima. Brenda 24 orëve të fundit, afro 350 persona janë vrarë nga sulmet ajrore. Fushata e Izraelit ka vrarë më shumë se 17,100 njerëz në Gaza 70% prej tyre gra dhe fëmijë  dhe ka plagosur më shumë se 46,000. 94 reporterë dhe punonjës të medias, mes të cilëve 9 gra, janë vrarë sipas të dhënave të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve. Që nga 7 tetori, më shumë se 1 gazetar në ditë ka humbur jetën gjatë luftës në Gaza.

Tensionet janë të larta edhe në Bregun e pushtuar Perëndimor. Të paktën gjashtë persona u vranë në një bastisje izraelite në kampin e refugjatëve Far’a. Shqetësimet janë rritur në meisn e banorëve të cilët kanë frikë se do të arrestohen në çdo moment edhe kur kalojnë në rrugë.  Sipas Autoritetit Palestinez, 263 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor që nga fillimi i luftës në Gaza. Kjo e tejkalon të gjithë numrin e vdekjeve të palestinezëve të vrarë në konfliktin izraelito-palestinez vitin e kaluar.

Klan News

/tvklan.al