25 shtator 2026 – Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ishte i ftuar në Klan News ku në një intervistë me gazetarin Besard Jacaj, komentoi zhvillimet e fundit lidhur me skandalin që ka prekur Shërbimin Informativ Shtetëror, më konkretisht ish-drejtoreshën Vlora Hyseni. Kjo e fundit akuzohet për nxjerrje të sekretit hetimor dhe bashkëpunim të ngushtë me Ergys Agasin.
Salianji tha se qysh prej fillimit, figura e Vlora Hysenit nuk i plotësonte kushtet për tu emëruar në krye të SHISH, nuk kishte kaluar filtrat e duhur për testimin e aftësive profesionale. Gjithashtu Salianji tha se arsyeja e shkarkimit të Hysenit nga inteligjenca Kosovare, ishte rrjedhja e informacioneve drejt Serbisë.
“Kam kërkuar që ditët e para që të bëhet e qartë, sepse Vlora Hyseni është shkarkuar nga zëvendësdrejtore e AKI-së në Kosovë, sipas të dhënave tona, për shkak të rrjedhjeve të të dhënave sensitive të Shërbimit Inteligjent të Kosovës drejt Serbisë. Dhe nga ana tjetër, kam kërkuar që në ditët e para të japë sqarime në lidhje me udhëtimet e saj në Beograd.
Kështu që cenet në emërimin e zonjës, pra duhet marrë që në nisje, Vlora Hyseni ishte një emërim me cen. Një emërim i cili nuk plotësonte kushtet për të qenë kryetare e Shërbimit Informativ Shtetëror, që nuk ka kaluar vettingun e duhur, që nuk kishte as aftësi profesionale për të folur në komision”, tha Salianji.
Ish-deputeti iu përgjigj dhe akuzave të kryedemokratit Sali Berisha, i cili më herët e akuzoi Salianjin për takime private me Ergys Agasin. Salianji i përgënjeshtroi dhe njëherë këto pretendime duke i konsideruar si fantazi të Berishës.
“Po këto janë gomarllëqe mo! Nuk ka njeri pranë nesh të thotë për mua as gjysmë fjale. Të vetmit që i kam denoncuar këta me emër e me mbiemër, më kanë bërë burg edhe më kanë izoluar po për këtë arsye, se kam denoncuar krimin, dhe ja ku po faktohen edhe tani.
Se kush ka ngrënë dreka e darka do dalin, do t’i shohim se aty janë. Shpresoj që të dalin të gjitha. Por po ju meqë po thoni këtë gjë, unë nuk kam qenë asnjëherë në jetën time në kodrën e kuajve që thoshte Sali Berisha, zero!”, tha Salianji.
Salianji tha se Egys Agasi, ka depërtuar kaq thellë në punët e shtetit për shkak të fuqisë që vetë kryeministri Edi Rama i ka deleguar duke e cilësuar dhe këtë të fundit si bashkëpunëtor të ngushtë të krimit.
“E vetmja fuqi është fuqia që i ka deleguar Kryeministri, atë që kemi thënë prej 13 vitesh apo më shumë në opozitë, që kjo qeveri dhe ky kryeministër qeveris me bandat, i përdor grupet e krimit të organizuar për vota, dhe këta nga ana tjetër pastaj i shpërblejnë duke u dhënë institucionet kryesore, në këtë rast institucionet kryesore të sigurisë kombëtare”, tha Salianji.
Ervin Salianji, duke iu referuar përvojës së tij si ish-kryetar i Komisionit Hetimor për sistemin TIMS, deklaroi se gjatë dëshmive në komision, ish-drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit kishte pranuar ndërhyrjet e bëra në këtë sistem për llogari të Ermal Beqirit e Ergys Agasit.
“O zotëri, kam dëshmi unë tek Komisioni i të dhënave të TIMS-it, kam qenë kryetar komisioni, apo jo? Ja po jua me emër: Ka ardhur drejtori i Departamentit të IT-së në Policinë e Shtetit dhe ka thënë që kemi ndërhyrje në mënyrë të tillë—dhe e ka bërë ky zotëria me Ermal Beqirin dhe këtë zonjën, pra Soft Solution i Ermal Beqirit kur bënte këto të TIMS-it, që personat e krimit të organizuar, pavarësisht se do dorëzonin pasaportën tek policia në pikën e kalimit kufitar, regjistroheshin null. Pra nuk hynin as dilnin, nuk e di kush kalon. Dhe nga ana tjetër, ke këtë që po të them, që SHISH ka këtë informacion që thonë njerëzit “po çfarë ka mo se ajo është…”, se e quajnë si gjë të parëndësishme”, tha Salianji.
/tvklan.al












Botërori 2026 