Asnjëherë më parë, rezultatet financiare të 3-mujorit prill-qershor nuk kanë dhënë një pasqyrë kaq të qartë për gjendjen e tre prej kompanive më të mëdha “low cost” në Evropë. Wizz Air del si rasti më i dobët mes tyre. Sidomos për faktin se arrin të sigurojë një fitim operativ për pasagjer rreth dhjetë herë më të ulët se Ryanair, sipas një analize të Corriere della Sera.

Shifrat e 3-mujorit

Ryanair regjistroi të ardhura prej 4,34 miliardë euro (20% më shumë krahasuar me një vit më parë) dhe shiti 57,9 milionë bileta.

easyJet siguroi 2,87 miliardë euro të ardhura dhe shiti 25,9 milionë bileta (pa përfshirë divizionin “Holidays”).

Wizz Air u ndal në 1,43 miliardë euro dhe 17 milionë bileta të shitura.

Sa përfiton secila kompani për pasagjer?

Ryanair arkëton mesatarisht 75 euro për pasagjer

easyJet 111 euro

Wizz Air 84 euro

Në letër, Wizz Air duket më fitimprurëse se Ryanair, duke qenë se ofron shërbim ultra low cost. Por realiteti është ndryshe.

Kosto dhe fitim për pasagjer

Ryanair ka kosto operative prej 59,1 euro, me një fitim operativ për pasagjer 15,8 euro

easyJet me 96,2 euro kosto dhe 13 euro fitim (përfshihet edhe divizioni i pushimeve)

Wizz Air ka 82,4 euro kosto për pasagjer dhe vetëm 1,6 euro fitim

Sipas analistes së Raymond James, Savanthi Syth, Ryanair ka përfituar nga uljet e çmimeve për blerje motorësh dhe ka siguruar stimuj për zgjerim. “Ryanair do të mbetet me një nga bilancet më të forta në industrinë e fluturimeve”, shkruan ajo.

Edhe pse me më pak transparencë në raportimin financiar, easyJet konfirmon një rritje të të ardhurave me 27% nga divizioni i pushimeve dhe parashikon një fitim para taksave prej 270 milionë euro për vitin fiskal që mbyllet në shtator. Kompania ka shitur 85% të biletave për tre muajt e verës.

Ndryshe nga rivalët, Wizz Air po kalon një periudhë të vështirë:

-Mbylli degën në Abu Dhabi pas humbjeve të mëdha

-Pezulloi zgjerimin në rajone të reja dhe po përqendrohet sërish në Europën Qendrore dhe Lindore, ku po përballet me një Ryanair më “agresiv” se kurrë.

-Po tërhiqet nga ambicia për të patur 500 avionë, duke kërkuar ngadalësim të dërgesave nga Airbus

Një tjetër goditje për Wizz Air ka qenë defekti me motorët Pratt & Whitney, që mbajti 41 avionë në tokë në 3-mujorin e fundit ose 17% të flotës.

Gabime strategjike

Burime brenda Wizz Air pranojnë për Corriere-n se gabimet kanë qenë të shumta:

Nuk bënë mbrojtje ndaj rritjes së çmimit të karburantit gjatë pandemisë

Zgjodhën një zgjerim të rrezikshëm, me hyrje në tregje të “ngopura” si Europa Perëndimore

U futën në garë direkte me Ryanair, i cili uli tarifat në mënyrë agresive për të ruajtur pozicionet

“Arrogancë dhe fat i keq”

“Katër vitet e fundit për Wizz Air kanë qenë një kombinim i fatit të keq dhe arrogancës”, thonë dy drejtues të kompanisë. Dhe përballë një Ryanair me çmime më të ulëta, kosto më të vogla dhe investime më të zgjuara, diferenca vetëm sa thellohet./tvklan.al