Presidenti finlandez: Në dy javët e fundit kemi bërë më shumë përparim se në tre vite e gjysmë
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, e nisi fjalën e tij me një batutë drejtuar Donald Trump për “rininë”, pasi lideri amerikan e kishte përshkruar Stubb-in si të ri dhe të fuqishëm, gjë që ai me humor tha se do t’ia tregonte gruas së tij.
Stubb vijoi duke thënë: “Mendoj se në dy javët e fundit, ndoshta kemi bërë më shumë përparim drejt përfundimit të kësaj lufte sesa në tre vitet e gjysmë të fundit.”
Ai shpjegoi edhe arsyen pse po merr pjesë në takim si përfaqësues i Finlandës, pasi vendi i tij ndan një kufi prej 800 miljesh me Rusinë.
“Ne, sigurisht, kemi përvojën tonë historike me Rusinë… dhe nëse shohim anën pozitive të asaj ku ndodhemi tani, ne gjetëm një zgjidhje në vitin 1944, dhe jam i sigurt se do të arrijmë një zgjidhje në vitin 2025 për t’i dhënë fund luftës së agresionit të Rusisë dhe për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë. Situata është shumë e vështirë, por për këtë arsye jemi këtu,” shtoi Stubb.
Pas Stubb-it, Trump foli shkurtimisht sërish dhe më pas pjesa publike e takimit përfundoi. Liderët janë kthyer tashmë në Zyrën Ovale.
Trump e priti Zelenskyn me hartën e territoreve ukrainase të pushtuara nga Rusia
Në takimin mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky, u diskutuan edhe territoret.
Kjo u konfirmua nga vetë dy liderët por gjithashtu u dëshmua përmes këtyre fotove që kanë qarkulluar në mediat ndërkombëtare.
Harta ndodhej brenda zyrës ovale, në të cilën me ngjyrën rozë shfaqen 5 rajone të pushtuara nga Rusia në Ukrainën Juglindore.


Macron: Garancitë e sigurisë kanë të bëjnë me “të gjithë… kontinentin evropian”
Tani është radha e presidentit francez Emmanuel Macron për të folur. Diskutimet për garancitë e sigurisë “kanë të bëjnë me të gjithë sigurinë e kontinentit evropian,” thotë ai.
Macron mbështet komentet e kancelarit gjerman Merz duke theksuar se një armëpushim është një “domosdoshmëri” dhe se të gjithë liderët “e mbështesin këtë ide”.
Ai shton se garancitë e sigurisë do të përfshijnë një ushtri të fortë ukrainase për “vite dhe dekada që do të vijnë”, si dhe një angazhim nga të gjithë të pranishmit në tryezë për të ndërtuar siguri të qëndrueshme.
Merz kërkon armëpushim “që në takimin e ardhshëm”
Në takimin e përbashkët, Trump i jep fjalën kancelarit gjerman Friedrich Merz.
Merz thotë se takimi i sotëm do të jetë “jashtëzakonisht i dobishëm”, por thekson nevojën për një armëpushim sa më shpejt.
“Për të qenë i sinqertë, të gjithë do të donim të shihnim një armëpushim – që nga takimi i ardhshëm,” i tha ai Trump-it.
Ai shtoi se “nuk mund ta imagjinojë” që takimi trepalësh të ndodhë “pa një armëpushim”.
Merz i bëri thirrje Trump-it të ushtrojë presion mbi Rusinë për të rënë dakord për një armëpushim.
“Do të shohim si do të shkojë kjo dhe nëse mund ta arrijmë,” u përgjigj Trump. Por ai theksoi se gjashtë luftërat që pretendon se i ka ndalur, përfunduan pa armëpushime paraprake.
Trump: Shkëmbimi i të burgosurve mund të ndodhë me takimin trepalësh
Kur të arrihet marrëveshja për një takim trepalësh, do të ketë gjithashtu edhe shkëmbime të të burgosurve, thotë Donald Trump.
“E di që ka mbi një mijë të burgosur dhe e di që do t’i lirojnë,” tha Trump për ukrainasit e mbajtur në Rusi. “Ndoshta do t’i lirojnë shumë shpejt – madje menjëherë.“
Zelensky: Takimi me Trump ishte “konstruktiv”
Zelensky deklaroi se ai dhe Trump zhvilluan një takim “konstruktiv, specifik” dhe një “bisedë shumë të mirë”.
Lideri ukrainas falënderoi disa herë Trump-in për gatishmërinë për t’u takuar me të.
Ai tha se Trump po përpiqet të organizojë një takim trepalësh dhe se Ukraina do të ishte e lumtur nëse ai do të merrte pjesë. Zelensky shtoi gjithashtu se i tregoi Trump-it “shumë detaje” mbi një hartë të fushëbetejës.
Trump: Do të preferoja një armëpushim, por “në këtë moment, nuk po ndodh”
Duke folur me liderët evropianë, Donald Trump tha se do të preferonte një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë, por më pas shtroi pyetjen nëse një gjë e tillë është realisht e nevojshme.
Ai tha se dëshiron të organizojë një takim trepalësh mes Zelensky dhe Putin, dhe shtoi se ka ndjesinë që do të arrijnë një marrëveshje.
Në fund të fundit, sipas Trump, ky është një vendim që mund të merret vetëm nga Zelensky dhe populli i Ukrainës, në marrëveshje me Putinin.
“Nëse arrijmë të kemi një takim të mirë, do të organizoj një takim me Putinin, dhe jam i gatshëm të marr pjesë nëse ata e duan praninë time,” tha ai.
“Të gjithë ne do të preferonim, sigurisht, një armëpushim të menjëhershëm ndërsa punojmë për një paqe të qëndrueshme dhe ndoshta diçka e tillë mund të ndodhë. Por për momentin, nuk po ndodh,” u shpreh Trump.
Ai shtoi se në luftëra të tjera që pretendon se i ka ndalur, nuk ka pasur fillimisht armëpushim, dhe se nuk e di nëse është e domosdoshme, por një marrëveshje paqeje në fund të kësaj situate është diçka që sipas tij “është shumë e arritshme”.

Trump: Putini do t’i pranojë garancitë e sigurisë për Ukrainën
Donald Trump deklaron se samiti i së premtes në Alaskë me Putinin e ka forcuar bindjen e tij se paqja është “e arritshme“.
Sipas tij, në një “hap të rëndësishëm”, Putin ka rënë dakord që Rusia do të pranojë garanci sigurie për Ukrainën.
Kjo është një nga “pikat kyçe” që liderët europianë do të marrin në shqyrtim në takimin e sotëm. Ai thotë se do të shqyrtohet “kush do të bëjë çfarë, në thelb”.
Trump shprehet optimist se grupi mund të arrijë një marrëveshje që do të pengojë agresionin e ardhshëm ndaj Ukrainës.
“Mendoj se vendet evropiane do të mbajnë pjesën më të madhe të barrës,” thotë ai. “Ne do t’i ndihmojmë.”
Në takim do të diskutohet gjithashtu edhe për “shkëmbime të mundshme territoresh”.
Trump: Do të përpiqemi të organizojmë një takim trepalësh
“Do të përpiqemi të organizojmë një takim trepalësh dhe t’i japim fund kësaj lufte.” Donald Trump e tha këtë ndërsa hapi takimin e tij me udhëheqësit evropianë. Presidenti amerikan është ulur midis Emmanuel Macron dhe Giorgia Melonit.
Pas takimit me Zelensky-n, në dhomën tjetër Trump nis samitin me liderët evropianë
Presidenti amerikan Donald Trump ka pritur në Shtëpinë e Bardhë liderët evropianë dhe të NATO-s, menjëherë pas përfundimit të takimit të tij me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Takimi me liderët evropianë po zhvillohet në dhomën zyrtare të ngrënies në Shtëpinë e Bardhë, dhe paraprihet nga ajo që quhet “foto familjare”, një traditë simbolike në samite të rëndësishme, si ky që pritet të ndodhë brenda pak minutash.

Trump i ka përshëndetur një nga një liderët evropianë që kanë mbërritur më herët gjatë ditës në Uashington, përpara se ai të ulej me Zelensky-n për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Pas takimit me presidentin ukrainas, Trump ka kaluar menjëherë te takimi me liderët e Europës, pa ndalur për pyetje nga media. Në një moment, Zelensky është parë duke qeshur me një koment të Trump-it, ndërsa qëndronte në krah të tij.












Botërori 2026 
