2,746 të vdekur në 24 orë, shifra më e lartë prej Prillit

24 orëshi i fundit në Shtetet e Bashkuara theu një rekord të ri të numrit të të vdekurve ditorë. 2,746 persona u konfirmuan të vdekur brenda kësaj periudhe kohore, duke e çuar totalin në afro 77 mijë.

Shteti federal i Nju Jorkut vijon të jetë vatra më e nxehtë e gjithë vendit, ku brenda 24 orëshit kanë janë konfirmuar 941 të vdekur. Ndërsa vetëm në qytet numërohen mbi 231 të vdekur. Megjithatë, sipas autoriteteve jo të gjithë kanë humbur jetën brenda një dite, pasi shifrave i shtohen persona që janë konfirmuar së fundi si të vdekur nga Covid-19.

Disa ekspertë thonë se faza kulmore e përhapjes së koronavirusit në Shtetet e Bashkuara ende nuk ka kaluar dhe po zgjat më shumë se në vendet e tjera. Shkak për këtë, sipas tyre është refuzimi i presidentit Trump për të ndërmarrë masat e duhura bllokuese për frenimin e përhapjes.

Ritmet e pandemisë po bien ndjeshëm nëpër Europë. Britania e Madhe shënoi 626 viktima në 24 orëshin e fundit, një shifër pak më e lartë krahasuar me një ditë më parë, por shumë herë më poshtë rekordit të Prillit kur u tejkaluan 1 mijë viktima në një ditë.

Të ulta vijojnë të jenë vdekjet ditore në Spanjë ku u shënuan 229 të vdekur e në Itali 243. Për të gjashtën ditë radhazi, Rusia shënoi mbi 10 mijë të infektuar, një shifër tepër e lartë. Megjithatë vdekshmëria në shkallë kombëtare është në rreth 1%. Në gjithë globin numërohen mbi 3.9 milionë të prekur prej të cilëve 271 mijë kanë humbur jetën.

Tv Klan