Rama mbështet ndërkombëtarët. Kurti nuk tërhiqet

Departamenti Amerikan i Shtetit ka qenë i drejtpërdrejtë duke u shprehur se i dënon ashpër veprimet e qeverisë së Kosovës për të futur me forcë në zyra krerët shqiptarë të komunave me shumicë serbe duke dalë kundër këshillave që SHBA dhe BE ka dhënë.

“Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë kursin dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndezë tensionet dhe do të nxisë konfliktin”, njoftoi DASH.

Thirrje Kurtit për të ndalur përshkallëzimet bëri edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

“Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë destabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në dialogun e lehtësuar nga BE”, u shpreh Blinken.

Për ngjarjet ka reaguar edhe Bashkimi Europian që ka kërkuar uljen e tensioneve duke mos provokuar përshkallëzim të mëtejshëm.

“BE-ja nuk do të pranojë asnjë veprim të mëtejshëm të njëanshëm ose provokues dhe ruajtja e paqes, dhe siguria në terren duhet të jetë prioritet”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Në të njëjtën linjë me SHBA dhe BE u shpreh edhe kryeministri Rama.

“A e ndihmon kjo që po ndodh në Kosovë procesin ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë?! Me siguri jo përderisa vetë miqtë tanë më të mëdhenj shprehen thellësisht të shqetësuar! Unë bashkohem me ta në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Rama në Tëitter.

Por pavarësisht apelit të ndërkombëtarëve kryeministri i Kosovës Albin Kurti u shpreh i vendosur për të vijuar rrugën e tij pas një takimi me kreun e KFOR-it.

“Kryeministri Kurti theksoi se kryetarët e komunave, të zgjedhur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, duhet t’i ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, për të ofruar shërbime publike cilësore për të gjithë qytetarët, pa pengesa”, tha zyra për shtyp e Kryeministrisë së Kosovës.

Kurti është shprehur se policia e Kosovës është angazhuar që t’u mundësojë këtyre kryetarëve hyrjen në vendin e tyre të punës. Një apel për të tërhequr autoritetet nga veriu bënë edhe ambasadorët e QUINT-it.

Tv Klan