Udhëheqësi i Hezbollahut kundërshton praninë e vazhdueshme ushtarake të Izraelit në Libanin jugor
Udhëheqësi i Hezbollahut, Naim Qassem, argumentoi se Izraeli nuk duhet të vazhdojë të veprojë në Liban pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se trupat izraelite do të qëndrojnë në vend “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
“Izraeli nuk do të qëndrojë në Liban, edhe nëse rrit krimet e tij. Dhe ne do të mbrohemi”, tha Qassem në një fjalim në televizionin Al-Manar të dielën.
Memorandumi i mirëkuptimit i arritur nga Irani dhe SHBA-të përshkruan fundin e armiqësive në Liban, por luftimet kanë vazhduar ndërsa forcat izraelite dhe luftëtarët e Hezbollahut përleshen.
Qassem nënvizoi se grupi militant i mbështetur nga Irani do t’u përgjigjet veprimeve që i konsideron shkelje të armëpushimit.
“Çdo armëpushim nën titullin e një ndalimi të plotë të agresionit – ne jemi tashmë të përkushtuar ndaj tij. Por ne nuk do të pranojmë asnjë shkelje. Çdo shkelje, ne do ta përballojmë. Çdo shkelje, ne do të luftojmë. Çdo shkelje, ne do ta trajtojmë siç e shohim të arsyeshme”, tha Qassem.
Kryenegociatori iranian: Nuk i marrim parasysh kërcënimet amerikane

Kryetari i Parlamentit të Iranit dhe njëherazi kreu i delegacionit negociator, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka hedhur poshtë kërcënimet e Shteteve të Bashkuara, duke deklaruar se Teherani është i gatshëm të përgjigjet nëse do të jetë e nevojshme.
“Nuk e kuptojnë vallë se nëse kërcënimet e tyre do të kishin ndonjë efekt, nuk do të kishin arritur në gjendjen e dëshpërimit ku ndodhen sot? Ne nuk i marrim parasysh kërcënimet amerikane”, shkroi Ghalibaf në rrjetin social X.
Ai paralajmëroi gjithashtu se forcat e armatosura iraniane janë të gatshme të reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj çdo përshkallëzimi.
“Është më mirë të kenë kujdes me deklaratat e tyre. Forcat tona të armatosura janë të gatshme të përgjigjen ndryshe. Çfarëdo që të thonë ata, ne jemi ata që do të veprojmë”, u shpreh Ghalibaf.
Delegacionet e Iranit dhe Katarit kanë nisur bisedime dypalëshe në Zvicër, pas përfundimit të raundit të parë të negociatave mes SHBA-ve dhe Iranit, raporton Al Jazeera duke cituar mediat shtetërore iraniane. Takimi vjen në kuadër të përpjekjeve diplomatike për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit mes Washingtonit dhe Teheranit, ndërsa Katari vijon të luajë një rol kyç si ndërmjetës në procesin e negociatave.
Mbi 25 milionë fuçi naftë iraniane kanë kaluar përmes vijës virtuale të bllokadës në 1 javë, deklaroi kreu i Kompanisë Kombëtare të Naftës së Iranit, Hamid Bovard. Sipas tij, pavarësisht tensioneve dhe kufizimeve në rajon, eksportet dhe transporti i naftës iraniane kanë vijuar pa ndërprerje. Deklarata u bë gjatë një interviste për televizionin shtetëror iranian, raporton agjencia Reuters.
Al Jazeera: Bisedimet po zhvillohen në një atmosferë konstruktive
Gazetari i Al Jazeera-s, Osama bin Javaid, raportoi nga Bürgenstock i Zvicrës se bisedimet mes SHBA-ve dhe Iranit po zhvillohen në një “atmosferë konstruktive”, pavarësisht deklaratave të fundit të presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas tij, negociatat janë organizuar në disa sesione të veçanta, secili i përqendruar në çështjet më të vështira të diskutimit. Sesioni i parë iu kushtua Libanit, ndërsa më pas diskutimet do të fokusohen te Ngushtica e Hormuzit dhe më pas te programi bërthamor i Iranit dhe sanksionet ndaj Teheranit.
Bin Javaid tha se ka folur me disa burime dhe ka parë ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, duke biseduar me kryeministrin e Katarit para se të largohej përkohësisht nga salla. Sipas tij, sapo gazetarët u larguan nga ambienti, delegacioni iranian u rikthye në takim, duke lënë të kuptohet se nuk dëshironte të shfaqej para mediave.
Gazetari shtoi se sesioni i parë ka përfunduar, por të katër delegacionet vijojnë konsultimet dhe negociatat pritet të vazhdojnë gjatë gjithë ditës.
A po has vështirësi marrëveshja?

Disa media iraniane raportojnë se negociatat katërpalëshe mes SHBA-ve dhe Iranit, të ndërmjetësuara nga Pakistani dhe Katari, janë ndërprerë përkohësisht për t’u dhënë mundësi delegacioneve të zhvillojnë konsultime të brendshme.
Sipas agjencive iraniane Fars dhe Press TV, ndërprerja ka ndodhur rreth 80 minuta pas nisjes së bisedimeve.
Edhe Al Jazeera, duke cituar Fars, ka raportuar për pezullimin e përkohshëm të takimit, ndërsa pritet që negociatat të rifillojnë pas përfundimit të konsultimeve të delegacioneve.
Programi bërthamor mbetet jashtë tryezës
Televizioni shtetëror iranian IRIB raportoi se programi bërthamor i Iranit nuk ka qenë pjesë e bisedimeve të zhvilluara me Shtetet e Bashkuara në Zvicër.
Sipas raportimit, diskutimet janë përqendruar në zbatimin e Marrëveshjes së Islamabadit, ndërsa prioritet kryesor ka qenë situata në Liban. Kjo përputhet edhe me deklaratat e mëparshme të zyrtarëve iranianë, të cilët kanë bërë të ditur se çështja bërthamore do të trajtohet në një fazë të mëvonshme të negociatave.
Paralajmërim i ri për Hezbollahun nga jugu i Libanit

Shefi i ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, deklaroi se Hezbollahu ka pësuar një goditje të rëndë gjatë përplasjeve me forcat izraelite dhe ndodhet në një “pozicion shumë të vështirë”.
Gjatë një vizite te trupat izraelite në jug të Libanit, Zamir tha se ushtria duhet të mbetet në gatishmëri të lartë, pasi armëpushimi është ende i brishtë dhe mund të ketë rikthim të luftimeve.
Ndërkohë, disa banorë të jugut të Libanit kanë nisur të kthehen me kujdes në shtëpitë e tyre pas ndalimit të luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut. Në qytetin Nabatieh, disa banorë janë rikthyer për të kontrolluar shtëpitë dhe bizneset, ndërsa dëmet nga luftimet janë të dukshme.
Ushtria libaneze u ka bërë thirrje banorëve të mos nxitojnë të kthehen në zonat pranë kufirit me Izraelin dhe të respektojnë udhëzimet e saj për sigurinë.
Trump zbulon ‘kartat’ kundër Iranit
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Memorandumi i Mirëkuptimit i arritur në Islamabad me Iranin është “vetëm një zgjatje e armëpushimit”, sipas Fox News.
Korrespondenti i Fox News, Trey Yingst, i cili ka zhvilluar një bisedë 20-minutëshe me presidentin amerikan, raporton se Trump nuk e konsideron këtë marrëveshje si një pakt përfundimtar. Sipas tij, presidenti amerikan “i ka të gjitha kartat në dorë” dhe ruan një sërë opsionesh nëse Irani nuk merr angazhime serioze në tryezën e negociatave.
“Kam një opsion 60-ditor dhe pas këtij afati mund të bëj çfarë të dua”, citohet të ketë thënë Trump përmes Yingst.
FOTO: Nisja e bisedimeve teknike mes SHBA-ve dhe Iranit
















Botërori 2026 
