Ushtria amerikane po krijon një task-forcë të posaçme për të forcuar përpjekjet e Uashingtonit për të kufizuar lëvizjen e armëve të avancuara dhe materialeve të tjera të sanksionuara nga Irani, përmes kufijve tokësorë dhe Detit Kaspik.
Nisma vjen pas disa muajsh bllokade detare ndaj Iranit dhe synon të zgjerojë kontrollin amerikan edhe në rrugët tokësore dhe detare që përdoren nga Teherani për transportin e pajisjeve ushtarake dhe mallrave të tjera të kufizuara nga sanksionet.
Krijimi i kësaj strukture, që nuk ishte bërë më parë publik, do të njoftohet zyrtarisht gjatë ditës së shtunë nga Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM), sipas një deklarate të siguruar paraprakisht nga agjencia Reuters.
Task-forca do të quhet “Iron Gate” dhe do të ketë selinë në Tampa të Floridës. Ajo do të bashkëpunojë me agjenci të tjera të qeverisë amerikane për të identifikuar dhe kufizuar lëvizjen e armëve, teknologjive me përdorim të dyfishtë, si dhe burimeve të paligjshme të të ardhurave që mund të përdoren nga Irani për të financuar aktivitetet e tij.
Teknologjitë me përdorim të dyfishtë janë pajisje dhe materiale që mund të shërbejnë si për qëllime civile, ashtu edhe për përdorime ushtarake.
Komandanti i CENTCOM-it, admirali Brad Cooper, deklaroi se bashkëpunimi më i ngushtë mes ushtrisë amerikane dhe institucioneve të tjera shtetërore do të kufizojë mundësitë e Iranit për të financuar terrorizmin, për të rindërtuar fabrikat e prodhimit të armëve dhe për të plotësuar rezervat e tij ushtarake.
Ndërkohë, sipas vlerësimeve të Komandës Qendrore Amerikane, bllokada detare e vendosur ndaj Iranit ka penguar eksportimin e më shumë se 25 miliardë dollarëve naftë bruto. Kjo masë është pjesë e përpjekjeve të Uashingtonit për të kufizuar të ardhurat e Teheranit dhe kapacitetet e tij ushtarake.
/tvklan.al












Botërori 2026 
