Raportim Live

Izraeli mirëpret përpjekjet e Trump për marrëveshje me Iranin

Izraeli deklaroi se nuk është pjesë e memorandumit të mirëkuptimit që po përgatitet mes SHBA-ve dhe Iranit për nisjen e negociatave.

Kryeministri Benjamin Netanyahu i shprehu mirënjohje presidentit Donald Trump për angazhimin që marrëveshja përfundimtare të përfshijë eliminimin e materialit të pasuruar dhe çmontimin e infrastrukturës së pasurimit bërthamor të Iranit.

Sipas zyrës së Netanyahut, marrëveshja duhet gjithashtu të kufizojë prodhimin e raketave dhe të ndalojë mbështetjen iraniane për grupet aleate në rajon.

Trump përsërit: Irani nuk do ketë armë bërthamore

Donald Trump deklaroi nga Zyra Ovale se Irani nuk do të ketë, nuk do të blejë dhe nuk do të zhvillojë armë bërthamore.

Ai tha se kjo është pjesë e një marrëveshjeje të mundshme mes SHBA-ve dhe Iranit. Sipas tij, Teherani ka pranuar parimisht të heqë dorë nga programi për armë bërthamore.

Trump theksoi se çdo marrëveshje do të garantojë që Irani të mos arrijë kurrë në posedimin e armëve bërthamore.

download app

Trump: Vance do marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes SHBA–Iran në Evropë

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se zëvendëspresidenti JD Vance do të marrë pjesë në ceremoninë e planifikuar për nënshkrimin e një marrëveshjeje mes SHBA-ve dhe Iranit. Sipas tij, eventi pritet të zhvillohet këtë fundjavë në Evropë.

Trump tha se palët janë shumë pranë finalizimit të një marrëveshjeje pas negociatave të fundit. Ende nuk është bërë publik vendi i saktë i ceremonisë. Marrëveshja pritet të lidhet me çështjen bërthamore të Iranit dhe uljen e tensioneve në rajon.

Irani: Ende nuk është miratuar asnjë tekst për marrëveshje me SHBA-të

Agjencia gjysmëzyrtare iraniane Fars, e afërt me Gardën Revolucionare (IRGC), ka cituar një burim të informuar pranë ekipit negociator të Iranit.

Sipas tij, nuk është miratuar ende asnjë tekst për një marrëveshje paraprake mirëkuptimi me Shtetet e Bashkuara.

Burimi thekson se bisedimet janë ende në proces dhe nuk ka marrëveshje përfundimtare. Gjithashtu, çdo raport për një draft të finalizuar është i pasaktë.

Trump: Kam folur me Netanyahun dhe liderë të tjerë

Donald Trump ka deklaruar në Zyrën Ovale se sapo ka zhvilluar një bisedë me Benjamin Netanyahun.

Ai tha gjithashtu se ka kontaktuar edhe me disa liderë të tjerë ndërkombëtarë. Deklarata u bë gjatë një paraqitjeje në Shtëpinë e Bardhë. Deri tani nuk janë dhënë detaje të tjera mbi përmbajtjen e bisedave.

Sulme të reja ajrore të Izraelit në jug të Libanit

Sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit, të cituar nga Al Jazeera Media Network, ushtria izraelite ka kryer sulme të reja në jug të Libanit.

Shënjestra kanë qenë zonat e Nabatieh, Tiro dhe Bint Jbeil, duke goditur gjithashtu disa fshatra përreth.

Deri tani nuk raportohen për viktima nga këto sulme. Situata në rajon mbetet e tensionuar dhe nën monitorim.

Armëpushimi/ Katari dhe Irani arrijnë marrëveshje për një tekst të përbashkët

Negociatat mes të dërguarit të Katarit, Ali Al-Thawadi, dhe ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, vazhduan deri vonë mbrëmë për të arritur një marrëveshje. Axios raporton se Katari dhe Irani kanë miratuar një tekst të përbashkët, i cili duhet të pranohet edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Trump anulon sulmet ndaj Iranit

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se ka anuluar sulmet ushtarake të planifikuara ndaj Iranit.

Sipas tij, bisedimet kanë arritur në nivelin më të lartë dhe një marrëveshje është pranë finalizimit.

Trump tha se kushtet kryesore janë miratuar nga të gjitha palët e përfshira, ndërsa bllokada detare do të mbetet në fuqi deri në nënshkrimin e marrëveshjes.

SHBA-të: Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara njoftoi se Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për trafikun detar.

Sipas CENTCOM-it, janë krijuar korridore të sigurta për kalimin e anijeve tregtare që respektojnë sanksionet amerikane ndaj Iranit.

Autoritetet amerikane theksuan gjithashtu se Irani nuk e kontrollon Ngushticën.

Zyrtari iranian: Teherani do t’i japë një përgjigje shkatërruese SHBA-ve nëse sulmojnë ishullin Kharg

Kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe Politikës së Jashtme të parlamentit iranian Ebrahim Azizi tha se Irani do t’i japë SHBA-ve një “përgjigje të fortë, shkatërruese, të dhimbshme dhe që shkakton keqardhje”, në rast se presidenti Donald Trump do të sulmojë ishullin Kharg.  Irani dhe i gjithë territori i tij, përfshirë ishullin Kharg, janë “plotësisht të përgatitur”, tha Azizi në komentet për gazetën iraniane Hamshahri ditën e sotme.

“Niveli i gatishmërisë së forcave tona të armatosura atje është aq i lartë sa besoj se një nga gjërat që mund të bëhet e dukshme në të ardhmen është pikërisht ky nivel maksimal i përgatitjes ushtarake në ishull. Me të gjitha aftësitë dhe forcën e tyre, forcat tona të armatosura janë në gatishmëri”, tha ai.

Ishulli i vogël në Gjirin Persik është një burim jetese ekonomik për Iranin dhe përpunon afërsisht 90% të eksporteve të naftës së papërpunuar të vendit. Ndërkohë Trump sot ka paralajmëruar se SHBA-të do të pushtojnë ishullin dhe se do të sulmojë fort infrastrukturën iraniane.