Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Zëvendëspresidentin e SHBA-ve, JD Vance, dhe kryeministrin e Katarit për të diskutuar krijimin e një mekanizmi koordinues që synon të parandalojë përshkallëzimin e përplasjeve mes Libanit dhe Izraelit.
Diskutimet u zhvilluan në prag të rifillimit të negociatave mes Libanit dhe Izraelit në SHBA, të planifikuara për të martën. Sipas presidencës libaneze, biseda u përqendrua në forcimin e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut, pas muajsh përleshjesh, që kanë shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha në jug të Libanit.
Katari dhe Pakistani, të cilët ndërmjetësuan raundin e parë të bisedimeve mes SHBA-ve dhe Iranit në Zvicër, njoftuan se palët kanë rënë dakord për krijimin e një qendre koordinimi për të mbikëqyrur respektimin e ndërprerjes së operacioneve ushtarake në Liban. Megjithatë, detajet e funksionimit të këtij mekanizmi nuk janë bërë ende publike.
JD Vance deklaroi se qëllimi i këtij mekanizmi është të shmangë incidente që mund të shndërrohen në një konflikt më të gjerë rajonal. Ai shtoi se siguria e Izraelit dhe sovraniteti territorial i Libanit duhet të mbrohen njëkohësisht, ndërsa theksoi nevojën që Irani të ndikojë mbi Hezbollahun për të respektuar armëpushimin.
Nga ana tjetër, Hezbollahu ka kundërshtuar bisedimet e ardhshme me Izraelin, duke kërkuar tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga territori libanez. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se ushtria izraelite do të vazhdojë të qëndrojë në jug të Libanit për aq kohë sa do ta konsiderojë të nevojshme për sigurinë e vendit.
Megjithatë, gjatë dy ditëve të fundit është vërejtur një qetësi relative në zonën kufitare. Forca Paqeruajtëse e OKB-së në Liban njoftoi se nuk ka regjistruar sulme ajrore nga asnjëra palë, një zhvillim që shihet si shenjë pozitive për ruajtjen e armëpushimit.
Sipas të dhënave të fundit, konflikti ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në jug të Libanit, me mbi 11 mijë ndërtesa të shkatërruara plotësisht dhe humbje ekonomike që kapin vlerën e rreth 1.38 miliardë dollarëve. Autoritetet libaneze raportojnë se sulmet izraelite kanë lënë të vrarë të paktën 4,175 persona dhe mbi 12 mijë të plagosur që nga rifillimi i luftimeve.
/tvklan.al












Botërori 2026 
