02 nëntor 2026- Kryeministri i vendit, Edi Rama, së bashku me ministren për Administratën Publike Adea Pirdeni prezantuan këtë të hënë një plan të ri transformimi dhe vlerësimi mbi “Shkallën e Meritës” në administratën publike.
Gjatë prezantimit, Rama theksoi se reforma synon të krijojë një administratë ku punonjësit më të aftë dhe më të përgatitur të kenë mundësi të përparojnë në hierarkinë shtetërore mbi bazën e meritave dhe përkushtimit që ata dëshmojnë.
” Shumë shpesh keni dëgjuar dhe kam dëgjuar gjatë këtyre javëve se për muaj të tërë disa janë përpjekur të dëgjohen, por askush nuk i ka dëgjuar, përfshirë dhe mua. Në fakt, tërësisht e kundërta është e vërtetë dhe është kaq e vërtetë saqë nëse sot ne kemi “Besën”, “Praninë besnike”, “Pasqyrë Albania”-n, kemi një Diellë të transformuar në një shërbëtor që është aty aktivisht jo vetëm për të instruktuar, por edhe për të bërë një pjesë të madhe të punës që deri dje e bënin ata që hynin për të marrë shërbime tek e-Albania, kjo është sepse kam reflektuar dhe kemi reflektuar mbi si të jemi më pranë njerëzve duke e sjellë më pranë administratën, duke sjellë më pranë shtetin, duke sjellë më pranë tyre edhe ndjesinë se janë ata që janë arsyeja ekzistenciale, jetësore e shërbimeve të administratës dhe pjesë e gjithë këtyre ndryshimeve ku kemi thirrur në ndihmë Inteligjencën Artificiale, teknologjinë, por jo vetëm, është edhe “Shkalla e Meritës”.
“Shkalla e Meritës” është një tjetër reformë që në thelb ka të bëjë me një pyetje shumë të thjeshtë: Si ta bëjmë administratën shqiptare një hapësirë ku njerëzit më të aftë, njerëzit më të përgatitur, njerëzit më të përkushtuar dhe mbi të gjitha njerëzit më të dëshiruar që t’i shërbejnë vendit nga fronti i administratës, nga ana e shtetit, të mund jo vetëm të hyjnë, por dhe të ecin përpara kur hyjnë në shkallën e hierarkisë në administratë.“, tha ai.
Më tej, Rama u ndal edhe te krijimi i Ministrisë së Administratës Publike, duke theksuar se reforma nuk lidhet vetëm me organizimin e institucioneve, por edhe me menaxhimin e kapitalit njerëzor dhe përgjegjësinë e shtetit ndaj qytetarëve.
Sipas tij, një nga objektivat kryesorë është garantimi i një administrate që u përgjigjet kërkesave dhe ankesave të qytetarëve, duke shmangur zvarritjet dhe pengesat burokratike.
“Prandaj e kemi quajtur “Shkalla e Meritës” dhe pjesë e kësaj reforme është edhe ç’ka kam shpallur me krijimin e Ministrisë së Administratës Publike, një ministri që për herë të parë i përkushtohet tërësisht administratës dhe mirëqeverisjes dhe që përfshin organizimin e institucioneve, trajtimin e kapitalit njerëzor, cilësinë e shërbimeve dhe përgjegjësinë e shtetit dhe të secilit brenda administratës ndaj qytetarit që me të drejtë troket, kërkon, ankohet, kërkon t’i qahet halli dhe kërkon mbi të gjitha që halli i tij të mos humbasë në oqeanin e burokracisë.“, tha Rama.
Ai theksoi se Shqipëria ka ndërtuar një infrastrukturë digjitale, e cila na rendit në listën e vendeve më të përparuara të vendeve sa i takon qeverisjes përmes teknologjisë.
“Kemi hequr sportelet, ato sportelet e tmerrshme të cilat është mirë që t’i kujtojmë kur flasim për nga kemi ardhur, ku jemi dhe ku duam të shkojmë dhe që ishin përcaktuese në jetën e përditshme të qytetarëve për një pjesë dërrmuese të shërbimeve. Kemi investuar shumë në teknologji, gjë që na ka bërë një shembull në rajon dhe gjë që ka tërhequr vëmendje edhe përtej rajonit duke na kthyer në një adresë ku ftohemi për të ndarë eksperiencën në konferenca, në forume, në samite të shërbimeve dhe të teknologjisë dhe kemi ndërtuar një infrastrukturë digjitale që na ka vendosur faktikisht, jo sipas meje, jo sipas nesh, por sipas Bankës Botërore, në grupin më të përparuar të vendeve në vlerësimin e GovTech-ut, e qeverisjes përmes teknologjisë. Kemi bërë një përparim të jashtëzakonshëm në një fushë ku dikur shteti ishte sinonim i radhëve, i letrave, i vulave, i humbjes së kohës dhe i bakshisheve, qoftë edhe për të marrë në kohë një certifikatë lindjeje.“, tha ai.
Pirdeni zbulon rezultatet e anketës: 70% e punonjësve kritikë ndaj vlerësimit të performancës
Ndërkohë, ministrja Pirdeni u shpreh se administrata publike shqiptare përballet me përgjegjësi të mëdha, veçanërisht në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, sipas saj, ekziston ende një hendek mes aftësive të punonjësve dhe mënyrës se si sistemi i vlerëson dhe i shpërblen ata për punën që kryejnë.
Ministrja theksoi se mungesa e meritokracisë ndikon drejtpërdrejt edhe në cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve, ndërsa ky shqetësim është i pranishëm edhe te vetë punonjësit e administratës.
Në mbështetje të këtij konstatimi, Pirdeni iu referua një ankete kombëtare të punonjësve publikë, sipas së cilës 70% e të anketuarve mendojnë se drejtuesit nuk zbatojnë masa për performancën e punonjësve, pavarësisht nëse ajo është e mirë apo e dobët.
“Administrata publike përbëhet nga profesionistë që përballojnë përgjegjësi të jashtëzakonshme, sikurse është procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kemi ende një distancë shqetësuese mes aftësisë që ekziston sot brenda administratës publike shqiptare dhe mënyrës se si sistemi arrin ta vlerësojë, ta njohë dhe ta shpërblejë atë.
Mungesa e meritokracisë në administratën shqiptare përkthehet shpeshherë në cilësi të pakënaqshme të shërbimit ndaj qytetarëve. Ky ka qenë një shqetësim i shprehur në protestat e qytetarëve, por kjo pakënaqësi rezonon edhe nga vetë njerëzit që punojnë brenda saj. Në anketën kombëtare të punonjësve publikë, 70% e tyre mendojnë se drejtuesit nuk zbatojnë pasojat për performancën, qoftë ajo e mirë apo e dobët.
Kjo është përgjegjësia që merr Ministria e re e Administratës Publike: ta kthejë integritetin në procesin e vlerësimit, nga hyrja në administratë deri te përparimi në karrierë dhe deri te drejtimi i institucioneve publike. Ne duam që merita të mos jetë një cilësi që një punonjës shpreson t’ia njohin, por një standard që sistemi është i detyruar t’ia njohë. Këtu merr kuptim “Shkalla e Meritës”, theksoi ministrja Adea Pirdeni.
/tvklan.al












Botërori 2026 