Një hetim i nisur dy vite më parë ka çuar në goditjen e një grupi të strukturuar kriminal në kultivimin e kanabisit në disa fshatra të Shkodrës, duke vënë në pranga 12 persona.

Për 10 prej tyre është caktuar masa e sigurisë arrest me burg, ndërsa 2 të tjerë në arrest shtëpie. Mes tyre është dhe një 44-vjeçare nga Tirana.

Kjo e fundit së bashku me 11 të tjerët akuzohen se janë implikuar në kultivim dhe prodhim kanabisi në njësinë administrative Oblikë, të Shkodrës.

Nisur nga numri i personave të përfshirë, pjesë e këtij hetimi krahas prokurorisë së rrethit, ka qenë dhe SPAK.

Gjatë fazave të zhvillimit të operacionit për goditjen e këtij grupi të strukturuar janë sekuestruar 246 kilogramë kanabis në proces tharje dhe 32 mijë bimë narkotike.

Për këtë aksion të zhvilluar, reagoi dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Përmes një statusi në rrjetet sociale ai tha se bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit konsolidon akoma më shumë revanshin e sundimit të ligjit kundër krimit të organizuar.

Tv Klan