Pavarësisht se përballë kishte një emër të vogël si atë të debutuesve të Kurasaos, Gjermania dha sinjale kërcenuese për rivalët.

Fitorja 7-1 i ka shndërruar Pancerat në një rival për tu marrë seriozisht nga kundërshtarët duke treguar se kjo skuadër mund të jetë një nga pretendentet për të triumfuar në finalen e 19 korrikut.

Ndeshja ishte pothuajse tërësisht nën kontrollin e gjermanëve dhe zbuloi disa elementë që japin shpresë për një fushatë të suksesshme.

Edhe pse portieri Manuel Neuer nuk pati shumë mundësi për të treguar cilësitë e tij, ai sërish ishte i vëmendshëm. Ai parashikoi drejtimin e gjuajtjes së Curaçao-s dhe u shtri në kohën e duhur, por devijimi i prishi koordinatat.

Me këtë paraqitje, Neuer, në moshën 40 vjeç e 79 ditë, u bë lojtari më i vjetër gjerman i të gjitha kohërave dhe hyri në një grup të veçantë futbollistësh që kanë luajtur në një Kupë Bote 12 vite pasi kanë ngritur trofeun.

Paraqitja e tij e ardhshme do t’i japë mundësinë të vendosë një tjetër rekord në historinë e Botërorit për portierët.

Një tjetër pikë e fortë ishte rikthimi i Jamal Musiala në formën e tij më të mirë. Talenti i Bayern-it ishte shumë aktiv, duke realizuar driblime të bukura edhe në hapësira të ngushta.

Goli i tij i parë në Kupën e Botës ishte një moment i rëndësishëm dhe një sinjal se ai po rikthehet te versioni i tij më i mirë. Gjermania ka ndryshuar gjithashtu strukturën e mesfushës pas EURO 2024.

Partneriteti mes Aleksandar Pavlovic dhe Felix Nmecha solli qetësi dhe kreativitet në lojë. Edhe pse sfidat e ardhshme do të jenë shumë më të vështira, kjo dyshe mund të jetë një nga themelet e stilit të lojës së Gjermanisë për vitet që vijnë.

Një tjetër armë e rëndësishme e skuadrës është rrezikshmëria në goditjet standarde. Qoftë nga goditjet e këndit apo nga goditjet e dënimit, Gjermania po tregon organizim të madh. Goli i Nico Schlotterbeck nga këndi ishte shembulli perfekt.

Pas disa lëvizjeve të përgatitura, mbrojtësi i Borussia Dortmund e lexoi në mënyrë ideale momentin dhe shënoi me kokë. Punët e shumta në stërvitje e goditjeve standarde duket se po japin rezultat.

Klan News

/tvklan.al