Nga 467 të infektuar 232 janë shëruar

Koronavirusi ka regjistruar 21 raste të reja të infektimit mes të cilëve ka edhe mjek e fëmijë.

“Dje janë konfirmuar 21 raste të reja me COVID-19, nga të cilët 1 personel shëndetësor dhe dy fëmijë asimptomatikë”.

Numri i të infektuarve nga virusi që ka shkaktuar pandeminë në botë tashmë ka arritur në 467 persona në vendin tonë.

“Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë me 6 raste, Shkodër 13 raste, Durrës me 1 rast dhe Hasi me 1 rast. Rastet e identifikuara në 24 orët e fundit janë kontakte të rasteve të mëparshme të prekura me COVID-19, ndërkohë që vazhdon procesi i hetimit epidemiologjik në terren”.

52 prej te prekurve nga koronavirusi gjenden të shtruar në dy spitalet COVID-19 në Tiranë.

“Në shërbimin infektiv aktualisht janë 43 të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 2 prej tyre janë të intubuar. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 5 prej tyre janë të intubuar”.

23 persona kanë humbur jetën, ndërsa 50% e të prekurve tashmë konsiderohen të shëruar.

“ Gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 232”.

Koronavirusi ka infektuar deri më tani 49 mjekë e infermierë, prej të cilëve 32 janë shëruar, 2 janë të shtruar në spital në gjendje të stabilizuar dhe pjesa tjetër janë në kushte shtëpie në gjendje të mirë shëndetësore.

Tv Klan