Një shpërthim ka ndodhur në zonën e Brrylit te një pikë karburanti.

Mësohet se ka shpërthyer një bombol e pikës së karburantit, e për pasojë është shembur një godinë njëkatëshe.

Fatmirësisht deri tani nuk raportohet për viktima, raporton gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj.

Mirëpo, si pasojë e shpërthimit kanë marre lëndime 3 punonjës të karburantit. Në momentin e shpërthimit kanë qenë duke furnizuar me gaz një automjet.

Policia dha më tepër detaje për ngjarjen. Me anë të një lajmërimi për mediat, blutë bëjnë me dije se në një karburant tek Brryli, dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi, gjatë kohës që po furnizohej me karburant një automjet.

Si pasojë, janë dëmtuar 3 persona, punonjës të karburantit, të cilët janë dërguar në spital për mjekim, jashtë rrezikut për jetën.

“Tek “Brryli”, në një karburant, dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi, gjatë kohës që po furnizohej me karburant një automjet. Si pasojë, janë dëmtuar 3 persona, punonjës të karburantit, të cilët janë dërguar në spital për mjekim, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit”, njoftojnë uniformat blu.

Si paraqitet gjendja e të lënduarve?

Ministria e Shëndetësisë ka dhënë informacion zyrtar për gjendjen e të lënduarve.

“Tre personat e dëmtuar si pasojë e shpërthimit të ndodhur në një karburant pranë zonës së “Brrylit”, Tiranë, janë paraqitur për trajtim mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës.

Pacientët V. H., R. A. dhe A. XH. ndodhen në gjendje shëndetësore të stabilizuar dhe janë nën kujdesin e ekipit mjekësor të Spitalit Universitar të Traumës.

Aktualisht, po kryhen ekzaminimet e nevojshme dhe vlerësimi i mëtejshëm i gjendjes së tyre shëndetësore, në përputhje me protokollet mjekësore”, thuhet në njoftim.

Shpërthimi në karburant, Drejtori i Zjarrfikëses së Tiranës: Ndodhi në zyrat e kompanisë. Shkak rrjedhja e gazit

Shkëlqim Goxhaj, drejtori i Zjarrfikëses në Tiranë dha detaje në lidhje me shpërthimin bombolës së gazit në pikën e karburantit te zona e Brrylit.

Goxhaj tha se shpërthimi ka ndodhur në zyrat e kompanisë. Ai shtoi se shkak dyshohet rrjedhja e gazit. Shtoi se çdo gjë është vënë nën kontroll për pak minuta.  

Shkëlqim Goxhaj: Shpërthimi ka ndodhur në zyrën e karburantit. Ka pasur edhe flakë. Kjo ka ndodhur nga shpërthimi. Menjëherë shërbimet zjarrfikëse kanë mbyllur rrjedhjen e gazit. Shkak për ngjarjen është rrjedhja e gazit. Në pak minuta, janë izoluar flakët dhe situata u vendos nën kontroll. Masa e flakëve nuk ka qenë shumë e madhe.

Shpërthimi/ Policia shoqëron disa persona, po verifikohet dokumentacioni i pikës së karburantit

Shërbimet e komisariatit nr 1 në Tiranë kanë shoqëruar disa persona në lidhje me shpërthimin në pikën e karburantit. Të shoqëruar janë administratori i pikës së karburantit, drejtuesi teknik i pikës dhe menaxheri.

Në pyetje janë marrë punonjësit si dhe drejtuesi i mjetit që po furnizohej me gaz.

Ndërkohë po verifikohen dhe dokumentacionet e pikës së karburantit sa i takon aktivitetit, kontrolleve dhe lejeve përkatëse sipas ligjit.

/tvklan.al