7 nëntor 2026 – Pallati në Elbasan, ku ndodhi shpërthimi tragjik, është shpallur me rrezik të lartë publik.
Sipas ekspertizës paraprake të kryer nga Instituti i Ndërtimit, soleta e katit të pestë paraqet rrezik shembjeje nga momenti në moment, raporton gazetari i Klan News, Fatos Salliu.
Nga inspektimi teknik i specialistëve është konstatuar se muri perimetral i fasadës, si dhe soletat në katet e treta dhe të katërta, janë shkatërruar plotësisht. Dëmtimet e shkaktuara nga shpërthimi dhe temperaturat e larta kanë sjellë humbjen e mbështetjes strukturore, duke e bërë ndërtesën të pasigurt.
Për këtë arsye, Instituti i Ndërtimit ka kërkuar ndalimin e rreptë të hyrjes në godinë, si dhe vendosjen e një perimetri sigurie prej 20 deri në 30 metrash përreth saj.
Nga kjo ngjarje janë prekur drejtpërdrejt 15 familje, të cilave u është ofruar strehim në konvikte. Deri më tani, vetëm njëra prej tyre është akomoduar, ndërsa për familjet e tjera pritet të ofrohet mbështetje përmes bonusit të qirasë nga strukturat e emergjencave civile.
Ndërkohë, banorët e prekur shprehen se kanë dorëzuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar dhe janë në pritje të ndihmës nga shteti. Ata thonë se ndihen të pasigurt dhe kanë frikë të rikthehen në banesat e dëmtuara.
“Kryetari i bashkisë vjen çdo natë, na sqaron. Na ka sqaruar jashtë mase…I kemi bërë dokumentet, mbaruam punë për 2 orë. Besoj që do na ndihmojnë! Puno sot, ha nesër, pasnesër. Këtu është vështirësi e madhe me jetu, frikë e madhe. Unë me familjen time s’arrij dot të flej gjumë këtu. Mua më intereson që kishte gatishmëri nga zjarrfikësit dhe ndihma e shpejtë te fëmijët. Lëre se ç’a thonë njerëzit, kush e fiku atë?? (referuar zjarrit) Plaku im që është në varr e fiku?! Në fillim vështirë, po tani shumë mirë. Gatishmëri e madhe, shpejtësi e madhe! Gatishmëri e papame”, tha njëri nga banorët.
Sa i përket të ardhmes së godinës, ende nuk është marrë një vendim përfundimtar nëse ajo do të shembet apo do të mund të rikonstruktohet.
Për momentin, objekti është shpallur i papërdorshëm.
Vendimi për fatin e pallatit do të merret pas një akt-ekspertize të detajuar, e cila do të përfshijë edhe teste laboratorike për vlerësimin e qëndrueshmërisë së strukturës. Ky proces do të nisë pasi të largohen mbetjet që paraqesin rrezik dhe të garantohet siguria e inxhinierëve gjatë punës në terren.
Kujtojmë se përpos dëmeve masive, ky shpërthim u mori jetën dy personave, ndërsa plagosi disa të tjerë.












Botërori 2026 
